Analistja politike Aferdita Maliqi ka reaguar ashpër ndaj tentativës për ndryshim të mënyrës së votimit në Kuvend, duke e cilësuar si një përpjekje për të fshehur nga publiku mbështetjen e mundshme të Listës Serbe.
Sipas Maliqit, kalimi në votim të fshehtë në mes të procedurave ngjall dyshime serioze për transparencën dhe qëllimin politik të këtij veprimi.
“Tentimi për ta ndryshuar mënyrën e votimit në mes të procedurave, pra për të kaluar në votim të fshehtë, na bën të kuptojmë se diçka po tentohet të fshihet nga publiku – konkretisht, vota e ndonjë deputeti,” ka deklaruar ajo.
Maliqi tha se Vetëvendosje, e cila sipas saj gjithmonë ka luajtur me kartën e nacionalizmit, nuk dëshiron që hapur të pranojë votat e Listës Serbe. Por përmes votimit të fshehtë, kjo do të ishte më e lehtë për ta.
“VV nuk do të donte që në mënyrë të hapur të merrte votat e Listës Serbe. Por me votim të fshehtë, kjo do t’i vinte më lehtë, sepse nuk do ta pranonte publikisht se, nëse ndodh, votat janë nga deputetët serbë.”
Ajo shtoi se kjo sjellje nuk është vetëm mungesë e transparencës, por një bllokadë politike që po e shtyn vendin drejt thellimit të krizës.
“Sidoqoftë, bllokada që po e bën VV, përveçse është tallje, po e çon vendin edhe më thellë në probleme dhe izolim,” përfundoi Maliqi për GazetaBlic.
Serwer: Bllokada në Kuvendin e Kosovës po vazhdon më shumë seç duhet


