Sporti

120 milionë euro për tri vjet | Al Hilal me ofertë të “çmendur” për Osimhen

05/28/2025 18:17
nga:Lorik J

Al Hilal i Arabisë Saudite i ka bërë një ofertë Napolit për sulmuesin Victor Osimhen. Sipas gazetës Foot Mercato, prioriteti i Al Hilal është sulmuesi, i cili e kaloi sezonin e kaluar si huazim te skuadra turke Galatasaray.

Victor Osimhen po lë pas një sezon të fortë me ekipin turk, pasi ka shënuar 36 gola dhe ka bërë 8 asiste në 40 ndeshje në të gjitha turnetë për gjigantin turk.

Al Hilal i ka ofruar gjithashtu Victor Osimhen një pagë marramendëse prej 120 milionë eurosh dhe një kontratë trevjeçare, që do të thotë se nigeriani do të fitojë 40 milionë euro në vit nëse transferohet në Arabinë Saudite.

Victor Osimhen do të duhet të vendosë nëse dëshiron të vazhdojë karrierën e tij në Arabinë Saudite apo të pranojë një ofertë nga 5 ligat kryesore, pasi Juventusi dhe disa klube të Premier League janë të interesuara për të, por paga që ai do të merrte në Evropë sigurisht që do të ishte dukshëm më e ulët se ajo e ofruar nga Al Hilal.

/GazetaBlic Sport