Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, për çdo vit, pret dhe përcjell qindra mijëra udhëtarë. Një nga inovacionet më të reja që po përmirëson përvojën e udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është sistemi i self check-in, raporton GazetaBlic.
Ky shërbim ka bërë që procesi i regjistrimit për fluturim të jetë më i shpejtë dhe më i thjeshtë, duke u ofruar pasagjerëve mundësinë të regjistrohen vetë dhe pa pasur nevojë të presin në radhë pranë sporteleve.
Gjithashtu Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, shënon rritje të fluturimeve dhe udhëtarëve për gjatë periudhës janar-prill gjatë vitit 2025 krahasuar me po të njëjtën periudhë gjatë vitit 2024.
Sipas të dhënave të siguruara nga Gazeta Blic nga stafi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, fluturimet dhe numri i udhëtarëve kanë shënuar një rritje të konsiderueshme gjatë periudhës janar-prill 2025.
Siç bëhet e ditur nga stafi i aeroportit, fluturimet për këtë periudhë janë rritur me 16.68%, duke kaluar nga 7,542 fluturime në 8,800 fluturime krahasuar me vitin 2024. Po ashtu, numri i udhëtarëve është rritur me 17.47%, duke arritur në 1,370,748 udhëtarë, nga 1,166,914 që kaluan përmes aeroportit gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar./GazetaBlic/


