Lajme

A do të kryejë punë takimi Kurti-QUINT, nesër përpjekja e 15’të për konstitutimin e Kuvendit

05/12/2025 22:45
nga:Genita C

Diplomatët e vendeve të QUINT’it i kanë shkuar sot në zyre Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit. Një ditë para vazhdimit të seancës konstitutive, ata kanë theksuar rëndësinë e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve.

Më e prerë ishte diplomatja amerikane, e cila theksoi nevojën që liderët politikë të Kosovës të bashkëpunojnë për të konstituuar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën.

Të enjten, Presidentja Vjosa Osmani do të fillojë konsultat me liderët e partive. PDK, LDK dhe AAK kanë konfirmuar pjesëmarrjen, teksa VV ende s’është përgjigjur.

Një tjetër përpjekje për konstituim do të bëhet nesër. Deputetët do të mblidhen në sallë në orën 10:00, në një tjetër tentativë për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit.

Seancat e fundit janë ndërprerë në mungesë të votave për të formuar Komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara e VV’së vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu, ndonëse tashmë që disa herë është vërtetuar se nuk i ka votat. Nga 61 sa i nevojiten, më së shumti që ka marrë janë 57.