Lajme

Lidhja e Bizneseve të Kosovës u bën thirrje liderëve politikë që t’i formojnë institucionet sa më parë

05/11/2025 11:20
nga:G B

Lidhja e Bizneseve të Kosovës u bën thirrje liderëve politikë që të veprojnë menjëherë dhe me përgjegjësi shtetërore për krijimin e institucioneve funksionale dhe stabilitet institucional. Vonesat e zgjatura në ndërtimin e institucioneve po dëmtojnë drejtpërdrejt ekonominë, po pengojnë reformat dhe po përkeqësojnë mirëqenien e qytetarëve.

Mosfunksionimi i institucioneve jo vetëm që dërgon sinjale negative tek qytetarët dhe komuniteti i biznesit, por po zbeh besimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në kapacitetin e Kosovës për të qeverisur me përgjegjësi. Kjo situatë ka ndikuar në bllokimin e fondeve ndërkombëtare, uljen e investimeve të huaja dhe stagnimin e agjendës integruese euroatlantike.

Çdo ditë e humbur në bllokadë politike po përkthehet në humbje reale ekonomike: mbyllje të bizneseve, rënie të punësimit, rritje të çmimeve dhe pasiguri për të ardhmen. Qytetarët e Kosovës po ndihen gjithnjë e më të braktisur – pa mbështetje, pa zhvillim dhe pa mundësi.

Kosova nuk mund ta përballojë më luksin e mosveprimit. I bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të lënë mënjanë interesat partiake dhe të bashkohen në funksion të interesit kombëtar – ndërtimit të një qeverisjeje funksionale, forcimit të partneritetit strategjik me SHBA-në dhe BE-në, si dhe krijimit të kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Një ndër Sfidat kyçe që po rrezikojnë ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve përfshijnë:
1. Mungesa e një reforme fiskale gjithëpërfshirëse – Sistemi aktual nuk reflekton realitetin e tregut dhe dëmton konkurrueshmërinë.
2. Realizimi i ulët i buxhetit për investime kapitale – Pa zhvillim të infrastrukturës, nuk ka rritje të qëndrueshme ekonomike.
3. Bllokimi i miliona eurove nga BE dhe fondet ndërkombëtare – Një dëm i madh për financimin e sektorëve kyç.
4. Bllokimi i institucioneve dhe mungesa e vizionit ekonomik – Pasiguri për bizneset, mungesë digjitalizimi dhe transparencë të ulët.
5. Vendimet e dëmshme nga ZRRE – Rritja e tarifave të energjisë rrezikon aktivitetin industrial dhe prodhues.
6. Mungesa e fuqisë punëtore pas liberalizimit të vizave – Sektorë të tërë si ndërtimi, prodhimi dhe bujqësia po përballen me mungesë serioze të stafit.
7. Mungesa e komunikimit efektiv Qeveri–biznes – Politika të njëanshme pa konsultim me komunitetin ekonomik.
8. Normat e larta të interesit për kredi – Financimi bëhet i papërballueshëm për shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme.
9. Mosfunksionimi i Komisionit të Minierave dhe Mineraleve – Vonesa në vendimmarrje dhe neglizhencë ndaj një sektori të rëndësishëm.
10. Praktikat e dëmshme të Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK) – Vonesat në dhënien e parcelave për gurthyesit, po pengojnë zhvillimin industrial dhe po krijojnë pasiguri për investitorët.
11. Mungesa e skemave të mbështetjes për prodhuesit vendorë – Përballë mungesës së granteve, subvencioneve dhe lehtësirave fiskale, prodhimi vendor po dobësohet vazhdimisht. Kjo po reflektohet drejtpërdrejt në performancën tregtare të vendit: vetëm gjatë pesë muajve të fundit është shënuar rënie e eksporteve dhe rritje e importeve, duke thelluar deficitin tregtar dhe varësinë nga jashtë. Pa një strategji të qartë për mbështetjen e prodhuesve dhe rritjen e kapaciteteve eksportuese, ekonomia do të vazhdojë të humbasë terren dhe konkurrueshmëri në rajon.
12. Mungesa e mekanizmave për tërheqjen e fuqisë punëtore nga jashtë – Bizneset mbesin pa zgjidhje për mungesën e stafit, duke humbur kontrata dhe rritje të mundshme në disa sektor.

Populli i Kosovës meriton më shumë:
Meriton institucione që funksionojnë, ekonomi të zhvilluar, paga të dinjitetshme dhe shpresë për të ardhmen. Këto nuk arrihen me krizë politike, por me bashkëpunim, qartësi vizioni dhe vendimmarrje të guximshme.