Presidenca e Kosovës është deklaruar lidhur me kërkesat për të thirrur në takim liderët e partive, lidhur me bllokadën në Kuvend.
Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidencës, ka thënë se Osmani ka shprehur gatishmërinë për takim që në letrën e 16 prillit për kryesuesin e Kuvendit, Avni Dehari.
Po ashtu, Kupina ka thënë se Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka shprehë gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, ka thënë Kupina./Gazeta Blic/


