Ushtria izraelite ka filluar të thërrasë dhjetëra mijëra rezervistë për të “intensifikuar dhe zgjeruar” operacionet e saj në Gaza.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se po “rrisnin presionin” me qëllim kthimin e pengjeve të mbajtura në Gaza dhe mposhtjen e militantëve të Hamasit.
Kritikët thonë se ofensiva e fundit ushtarake, pas prishjes së armëpushimit, nuk ka arritur të garantojë lirimin e robërve dhe vë në pikëpyetje objektivat e kryeministrit Benjamin Netanyahu në konflikt.
Sipas planit, ushtria tha se do të vepronte në zona të reja dhe do të “shkatërronte të gjithë infrastrukturën” mbi dhe nën tokë.
Kabineti i sigurisë izraelite pritet të miratojë një zgjerim ushtarak kur të mblidhet të dielën.
Negociatat ndërkombëtare kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje të re për një armëpushim dhe lirimin e 59 pengjeve të mbetura që mbahen nga Hamasi – 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë.
Asnjë peng izraelit nuk është liruar që kur Izraeli rifilloi ofensivën e tij më 18 mars pas prishjes së një armëpushimi dy-mujor me Hamasin.
Që atëherë, Izraeli ka pushtuar zona të mëdha të Gazës, duke zhvendosur përsëri qindra mijëra banorë të Gazës.
Izraeli ka thënë se qëllimi i tij ishte të ushtronte presion mbi Hamasin, një strategji që ka përfshirë një bllokadë mbi ndihmën humanitare që ka qenë në fuqi për më shumë se dy muaj, shkruan Reuters.


