Një pjesë e banorëve të fshatit Reznik të Vushtrrisë, po përballen me mungesë të vazhdueshme të energjisë elektrike, për shkak të shtyllave të dëmtuara dhe largësisë së madhe ndërmjet tyre. Sipas kryetarit të fshatit, Gzim Rrustemi, çdo erë apo reshje shiu po shkakton ndërprerje të menjëhershme të furnizimit me energji, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e banorëve.
Ndërprerja e fundit, sipas tij, ka ndodhur më 3 maj 2025, nga ora 21:00 deri në orët e hershme të mëngjesit të 4 majit. Situata më e rëndë paraqitet në lagjet Rrustemi, Curri dhe Miftari.
Banorët kërkojnë nga KEDS ndërhyrje të menjëhershme për vendosjen e shtyllave të reja të betonit, më afër njëra-tjetrës, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji dhe siguri në fshat.
Në një përgjigje me shkrim nga KEDS, për RTK-në, kishin deklaruar se janë në dijeni për gjendjen e rrjetit elektrik shpërndarës në fshatin Reznik të Vushtrrisë. Aktualisht, sipas tyre, nuk parashihet ndonjë projekt investiv në këtë zonë. Megjithatë, KEDS thekson se do të vazhdojë të bëjë mirëmbajtjen e rrjetit elektrik në këtë fshat, me qëllim që konsumatorët të kenë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, deri në implementimin e një projekti investiv, i cili paraprakisht duhet të aprovohet nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).


