Lajme

Ndërprerja e punimeve në shesh, Halimi: Lëreni qeverisjen lokale të bëjë punën e saj, ju bëjeni tuajën konstituojeni Kuvendin!

04/30/2025 11:38
nga:Sh R

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndaluar edhe dje punimet në sheshin “Xhorxh Bush” të nisura nga Komuna e Prishtinës me arsyen se po bëhen në zonën e mbrojtur, raporton GazetaBlic.

Sibel Halimi nga LDK ka reaguar lidhur me këtë çështje ku thotë se është një pamje që nuk do doja ta shihja kurrë ‘shteti kundër shtetit ose një pushtet nacional kundër një pushteti komunal’.

Halimi thotë se është një politikë që ngjan me kohë luftrash, ku kushdo që është jashtë perimetrit të tyre mbrojtës partiak sulmohet.

“Lëreni qeverisjen lokale të bëjë punën e saj. Ju bëjeni tuajën: konstituojeni Kuvendin!”, tha ajo.

Positmi i plotë:

Një pamje që nuk do të doja ta shihja kurrë: shteti kundër shtetit ose një pushtet nacional kundër një pushteti komunal! Një kryetar komune në betejë me burokracinë qeveritare, ai po përballet me arsenalin e shtetit sepse po e ndërton një shesh më shumë në kryeqytet.

Një politikë që ngjan me kohë luftrash, ku kushdo jashtë perimetrit të tyre mbrojtës partiak, sulmohet.

Nuk mund të ushtrosh vullnet politik në Leposaviq, ndërkohë që pengon një vullnet politik në Prishtinë.

Lëreni qeverisjen lokale të bëjë punën e saj. Ju bëjeni tuajën: konstituojeni Kuvendin!