Lajme

Tetë dështime, Kuvendi nuk konstituohet – Albulena Haxhiu nuk ka vota që të bëhet kryeparlamentare

04/29/2025 13:44
nga:G B

Ka dështuar për herë të tetë sot konstituimi i Kuvendit të Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta ketë Albulena Haxhiun emrin e vetëm të propozuar për kryetare të Kuvendit, e cila deri më tani kishte marrë nga 57 vota për, ndërsa sot mori 54 për.

Përfaqësuesi i LVV-së, Glauk Konjufca, derisa propozoi Haxhiun për kryeparlamentare, tha me shaka se u mungonte një deputet dhe i kërkoi opozitës një votë që mos t’u dilnin më pak se 57. Por, më pas dolëm vetëm 54 vota.

Derisa Vetëvendosje vazhdon të insistojë në zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke thënë se partitë tjera duhet ta votojnë atë pasi u takon e drejta si parti e parë e dalë nga zgjedhjet, partitë tjera thonë se nuk e përkrahin atë dhe s’do të ndryshojnë qëndrime.

Mungesa e votave për Albulena Haxhiun dhe mos ndryshimi i kandidatit të propozuar ka bërë që seancat të ndërpriten menjëherë pas votimit dhe të thirren çdo 48 orë, pas dështimit të çdo seanca.

Bllokada po vazhdon, Kuvendi vazhdon të jetë i konstituar, derisa partitë akuzojnë njëra tjetrën për bllokadë.

Seanca e radhës është rritur për datën 1 maj në ora 10:00, ku kjo do të jetë tentativa e nëntë për konstituim të Kuvendit.

Me qëndrimet e deritanishme, nëse Albulena Haxhiu do të jetë sërish kandidate për kryeparlamentare, duket se do të kemi skenarin e njëjtë si deri tani./Gazeta Blic/