Policia e Shqipërisë ka arrestuar një 23-vjeçar nga Franca, i cili dyshohet se kishte ardhur në Tiranë për të tërhequr paratë e fituara përmes mashtrimit.
Ai u kap në një bankomat në Tiranë, teksa po tërhiqte para nga një llogari bankare që kishte aksesuar nëpërmjet linkut të dërguar.
Ky mashtrim ka përfshirë dërgimin e mesazheve të rreme nëpërmjet celularëve, ku qytetarët kërkoheshin të plotësonin të dhëna bankare personale, që më pas përdorej për të tërhequr para nga llogaritë e tyre përmes bankomatëve dhe aplikacioneve bankare.
Sipas informacionit të policisë, qindra shtetas shqiptarë janë viktima të kësaj skeme mashtrimi, raporton Euronews.al.
Policia ka sekuestruar tre celularë, ndërkohë hetimet vijojnë për identifikimin dhe procedimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
“Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.


