Lajme

Tentativa e gjashtë për konstituim të Kuvendit – VV nuk e ndërron kandidatin, partitë s’ndryshojnë qëndrim

04/24/2025 18:31
nga:G B

Nesër (25 prill) do të vazhdojë seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, raporton Gazeta Blic.

E nisur më 15 prill, nesër do të jetë tentativa e gjashtë për konstituim, derisa nga seanca e parë janë kryer dy pika të rendit të ditës, ajo për votimin e raportit për mandate dhe betimi i deputetëve.

Çështja ka ngecur te pika e tretë e rendit të ditës, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Duket se i gjithë problemi qëndron te emri i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Albulena Haxhiu në tri herët që është propozuar, dhe një herë që është propozuar por nuk është hedhur në votim, ka marrë vetëm 57 vota, duke ia pamundësuar zgjedhjen kryekuvendare, për çka i duhen të paktën 61 vota.

E, Lëvizja Vetëvendosje po kërkon që partitë tjera ta votojnë atë, duke thënë se iu takon kryetari i Kuvendit si parti e parë që janë. Ndërsa, nga partitë tjera kanë deklaruar se nuk e votojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

Madje, partitë tjera kanë kërkuar që të propozohet kandidat tjetër për këtë pozitë, derisa Haxhiu ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme.

Mirëpo, kërkesa duket se nuk do të merret parasysh nga LVV, ani pse ajo nuk i ka numrat për Haxhiun.

Edhe në seancën e nesërme, LVV do ta propozojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

Nuk dihet nëse VV ka arritur që t’i bëjë edhe katër votat që i duhen, apo seancat do të vazhdojnë si deri më tani, në ndërprerje dhe vazhdim pas 48 orësh.

Mbetet për t’u parë se si do të vazhdohet, a do ta ndërrojë VV kandidaten, apo partitë tjera qëndrimet./Gazeta Blic/

LVV: S’ka konsultime me partitë politike për konstituimin e Kuvendit

Kuvendi: Nesër në ora 10:00 vazhdon seanca konstituive