Sot, në një ngjarje të veçantë të organizuar në bashkëpunim me Aeroportin e Prishtinës, Global Engineering Girls (GEG) ka mbajtur një panel që trajtoi fuqizimin e vajzave dhe grave në fushën e inxhinierisë, në kuadër të Javës së Vajzave në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, raporton GazetaBlic.
Ky event ka shërbyer si një mundësi për të hapur dyer të reja mundësish për vajzat, duke i dhënë atyre mundësinë të inspirohen, të mësojnë dhe të udhëhoqen në një industri kyçe për zhvillimin e shoqërisë.
Në këtë panel, morën pjesë disa figura të shquara nga fusha e teknologjisë dhe inxhinierisë. Vjollca Cavolli, drejtoreshë e STIKK, ndau me të pranishmit historinë e saj, duke theksuar sfidat që ka kaluar për të arritur në pozitat ku ndodhet sot. Ajo foli për rëndësinë e mbështetjes dhe përpjekjeve të pandërprera për të ndihmuar gratë të arrijnë sukses në sektorë dominues nga meshkujt.
Adelina Dumani, shefe e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Aeroportin e Prishtinës, theksoi se LIMAK është një kompani që mund të shërbejë si model për të gjithë, për shkak të ndikimit të saj të madh në avancimin e femrave dhe grave. Ajo theksoi se në pozitat vendimarrëse të LIMAK, 50% janë femra dhe 50% janë meshkuj, një balancë që është ende e rrallë për rajonin.
Leonora Kusari, një tjetër pjesëmarrëse në panel, foli për sfidat e grave në karrierë dhe theksoi se ndryshimi nuk vjen vetëm nga përpjekjet individuale, por edhe nga mënyra se si kompanitë dhe shoqëria trajtojnë këtë çështje.
Mimika Dobroshi, një tjetër folëse e rëndësishme, e cilësoi arsimin si çelësin për fuqizimin e grave dhe theksoi se është rruga e vetme që çon drejt pavarësisë financiare. Ajo gjithashtu foli për mundësitë që ofron programi Erasmus, një mundësi e shkëlqyer për vajzat dhe gratë që duan të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të arrijnë sukses në nivel ndërkombëtar.
Shqipe Vela, Kryetare dhe Bashkëthemeluese e Rrjetit “Grave në Energji dhe Miniera”, shpjegoi arsyet e themelimit të këtij rrjeti, duke theksuar rëndësinë e bashkimit dhe mbështetjes së grave që punojnë në sektorin e energjisë dhe minierave, dy fusha tradicionale që janë dominueshëm të udhëhequra nga meshkujt.
Dreshnusha Gashi, një tjetër folëse e panelit, e cila ka punuar gjatë karrierës së saj në sektorin e energjisë, përmendi se sektori ka qenë historikisht dominues nga meshkujt, por po ndryshon, falë mundësive që po ofrohen për vajzat. Ajo përmendi gjithashtu se KEDS Academy është duke ofruar mundësi të shkëlqyeshme për vajzat që duan të hyjnë në këtë industri.
Shkipe Oseku, mentore e njohur në shtetet skandinave, ndau me të pranishmit historinë e saj, duke treguar se si ka thyer barrierat profesionale që i janë shfaqur gjatë karrierës. Ajo theksoi rëndësinë e mentorimit dhe mbështetjes së grave në ngritjen e karrierës së tyre.
Irida Jashanica, studente e Global Engineering Girls, foli për hapat që ka ndërmarrë në fushën e inxhinierisë dhe planet që ka për të ardhmen, duke dëshmuar se mundësitë janë të pafundme për vajzat që janë të gatshme të investojnë në zhvillimin e tyre profesional.
Në fund, të gjitha pjesëmarrëset e panelit dhanë një mesazh të fuqishëm: “Së bashku po ndërtojmë një të ardhme ku ndryshimi është i mundur dhe gratë janë në krye të inovacionit dhe zhvillimit.”
Ky panel ka shërbyer si një hap i rëndësishëm për të inkurajuar vajzat dhe gratë që të futen në fusha tradicionale të dominimit nga meshkujt dhe të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e një shoqërie më të barabartë dhe më të zhvilluar.


