Albulena Haxhiu, kandidatja e propozuar për kryetare të Kuvendit, nuk arriti të sigurojë më shumë se 57 vota, në seancën e të shtunës, raporton GazetaBlic.
Tashmë, gjithë vëmendja është drejtuar tek seanca që do të mbahet sot, duke filluar nga ora 15:00, ku Haxhiu dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) shpresojnë të kalojnë këtë fazë.
Për të pasur sukses, Haxhiu duhet të sigurojë të paktën 61 vota, një sfidë e vështirë pas bllokadës që ka krijuar opozita.
Në dy votimet e fundit, disa parti, përfshirë Nismën Socialdemokrate, abstenuan, ndërsa Duda Balje nuk mori pjesë fare.
PDK dhe LDK mbetën të forta në qëndrimet e tyre kundër, ndërsa AAK e bëri të qartë se nuk do të mbështesë Haxhiun, përveç nëse kandidatura do të përfshinte emra të tjerë si Shqipe Selimi ose Saranda Bogujevci.
Në këtë situatë, VV ka mbetur vetëm me 57 vota, dhe si pasojë, i mungojnë edhe 4 vota për të kaluar përpara. Deputeti Veton Berisha, i cili ka shkaktuar shumë diskutime, ka votuar për Haxhiun, duke rritur tensionet brenda partive.
Albulena Haxhiu ka theksuar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kandidatura, ndërsa VV vazhdon të kërkojë mbështetje, duke kërkuar vota nga opozita.
Faton Peci dhe Glauk Konjufca, i bënë apel opozitës, duke i kërkuar të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila thekson se kryetari i Kuvendit duhet të vijë nga partia që ka shumicën e deputetëve.
Nga ana tjetër, Blerim Sallahu, zyrtar i VV-së, ka theksuar se “e kemi përmbushur këtë nen duke e propozuar për kryetare të Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu e cila i ka gjithsej 125,327 vota, pra është në 5-shen më të votuar në parti dhe gruaja më e votuar në Republikën e Kosovës.” Ai shtoi se nëse bllokada vazhdon, zgjedhjet e reja mund të jenë i vetmi opsion.
Nëse seanca e sotme nuk do të sjellë një rezultat, bllokada mund të vazhdojë, dhe VV mund të detyrohet të kërkojë një tjetër mundësi për të kaluar në fazën e formimit të institucioneve.
Krahas kësaj, në përgjigjen që ka marrë nga deputetët e AAK-së e LDK-së, shihet qartë që këta të fundit nuk do të ndryshojnë qëndrimin e tyre.
Mbetet të shihet nëse sot do të ketë një ndryshim të situatës.
Hykmete Bajrami: LDK ka qëndrimin e njëjtë, nuk do ta votojë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare
Tahiri për seancën e nesërme: S’është në dorën tonë, do të veprojmë njëjtë


