Albulena Haxhiu e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, ka dështuar të zgjedhet dy herë radhazi në seancën e 19 prillit.
Por, ajo do të jetë sërish kandidate për kryetare të Kuvendit dhe këtë e ka konfirmuar vetë ajo pas seancës.
Haxhiut i nevojiten edhe 4 vota për të marrë këtë pozitë, derisa për kanë votuar 57 deputetë.
Por, pse VV vazhdon ta ketë kandidate Haxhiun, pavarësisht dy dështimeve për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit?
Lidhur me këtë, analisti politik, Arbnor Sadiku, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se kandidimi i sërishëm i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit tregon se VV nuk i ka votat për formimin e qeverisë.
“Nëse LVV e kandidon përsëri për kryetare të Kuvendit, znj.Haxhiu, kjo nënkupton se VV nuk i ka votat as për formimin e qeverisë. Arsyet pse e kandiduan znj.Haxhiu janë se z.Konjufca nuk ka dashur më të jetë kandidat për kryekuvendar, si dhe LVV pa siguruar votat për Qeveri nuk mund ta ndërrojë as kandidaten për kryetar/e të Kuvendit”, thotë ai.
Sadiku thekson se VV është fajtore për zvarritjen e krijimit të institucioneve dhe nëse nuk i siguron edhe 4 vota, s’mund ta formojë qeverinë.
“Por, tashmë çdo gjë dihet, se fajin kryesor për zvarritje dhe mos krijim institucionesh e ka koalicioni i LVV-së, sepse kanë pasur mjaft kohë dhe ketë drejtë ua jep Kushtetuta si fitues zgjedhjesh, pra, nëse nuk arrin marrëveshje me Nismën dhe pakicat t’i sigurojë edhe 4 vota, ata nuk do arrijnë të themelojnë Qeverinë e pakicës”, potencon Arbnor Sadiku për Gazeta Blic.
Ndërsa, analisti Blerim Burjani, është i mendimit se VV nuk duhet të insistojë në një kandidat të vetëm për kryetar Kuvendi, nëse s’i merr votat.
“VV nuk duhet të insistojë vetëm për një deputete që të kandidohet, kur ka plot të tjerë të mundshëm, nëse nuk i merr herën e parë votat, s’i merr më asnjëherë, nuk duhet të kërkojë me zor ta votojnë. Këta si VV nuk e kanë shumicën dhe s’mund të kalojnë asnjëherë, duhet të propozojnë dikë tjetër që nuk kanë aversion apo padushmëri, VV nuk ka ndërmend fare të reformohet dhe të lirohet prej numrit të madh të njerëzve të padijshëm dhe të paaftë për asnjë fushë nga ky subjekt, Kurti vazhdon të qeverisë me partinë me njerëz servilë që nuk i duhen as shtëpisë së tyre e lëre më popullit, por sidoqoftë, ky quhet abuzim me paranë publike, pra VV duket se shumë shpejt do ta humbë ndikimin në popull”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, VV duhet ta propozojë një figurë të pranueshme.
“VV duhet nesër të propozojë dikë pak a shumë të pranueshëm, kur dihet roli i kryetarit të Kuvendit, tashmë kjo është bërë shaka në VV, ku gjithkush nga ky subjekt mund të propozohet për gjithçka, pa marrë parasysh se a kane referenca të ndonjë profesioni apo përvoje të verifikuar, politika e tillë quhet e shatit dhe kacisë”, deklaron Blerim Burjani.
Ndryshe, vazhdimi i seancës së 19 prillit do të jetë të hënën (21 prill), ku pritet të vazhdohet me votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Nuk dihet nëse këtë herë VV do t’i ketë votat e nevojshme që të zgjedhet kryetari i Kuvendit./Gazeta Blic/
Votimi për kryetarin e Kuvendit/ Avokati shpjegon sipas Kushtetutës të drejtën e deputetëve


