Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, cilësoi atë si një akt formal letrën e dorëheqjes së Albin Kurtit.
“Në të njëjtën kohë kemi një qeveri në detyrë që merr vendime, zgjidhet drejtori i Doganës së Kosovës, dhe në të njëjtën kohë thuhet se ata janë dorëhequr nga detyrat e tyre qeveritare – kjo është më shumë se hajgare. Nuk mund të ushtrohet paralelisht funksioni i dyfishtë, si në legjislativ ashtu edhe në ekzekutiv,” tha ajo.
Ajo u pyet edhe lidhur me deklaratën e koordinatores së LVV-së, Dejona Mihali, e cila në një postim në Facebook ka thënë se partitë politike nuk po “arrijnë të shohin potencialet që gjenden në këto grupacione”, duke përmendur edhe “punëtorët e KDI-së e IKD-së”.
Sipas Deliu-Kodrës, Vetëvendosje disa ditë më parë kishte deklaruar se i kishte siguruar numrat për ta votuar kryetarin e Kuvendit, por sipas saj, këta numra po mungojnë.
“Pastaj, për deklaratat e eksponentëve të Vetëvendosjes as që dua të merrem – i kemi dëgjuar tash e sa kohë – fajin tentojnë t’ua mveshin partive të tjera, shoqërisë civile, mediave, sindikatave dhe shumë eksponentëve të tjerë në Kosovë”, u shpreh Deliu-Kodra./rtv21/


