Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas vendimit të ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 përqind.
“Përkundër dy protestave në Prishtinë , kundërshtimit në forma tjera , dërgimit të komenteve , ndërmarrja e strukturuar kriminale ZRrE dje miratoi vendimin për rritje të çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 përqind që në masë të madhe do ta vështirësojë jetën e pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës , bizneseve të shumta e në veçanti shtresave të cenueshme siç janë : pensionistët , përfituesit e skemave sociale , veteranët e luftës etj”.
“ Qeveria Kurti 2 nuk ndërmori asnjë veprim për të mbrojtur qytetarin e varfëruar të Kosovës madje me disa improvizime të ministres përkatëse pranoi rritjen duke përshkallëzuar këtë rritje. Ndërmarrja kriminale ZRrE asnjëherë nuk ka përfaqësuar interesin e qytetarit por se ka mbrojtur në mënyrë skajshmërisht të pamoralshme interesin e operatorëve të energjisë elektrike dhe strukturave të caktuara qeveritare , që nga përfundimi i luftës deri më sot. Për 15 vite ka vjedhur paratë e qytetarëve të Kosovës në baza etnike duke liruar serbët nga çdo detyrim për pagesë përmes fryrjes së faturave . As sot e kësaj dite qytetarët e dëmtuar nuk janë kompensuar ndonëse kemi një vendim të gjykatës “, thuhet në reagimin e këtij këshilli.
KMDLNj – fton qytetarët të organizohen dhe t’ i intensifikojnë protestat në mbrojtje të drejtave të tyre .
“ZRrE nuk është shteti dhe nuk mund të jetë mbi ligjin.Intensifikimi i protestave është në funksion të mbrojtjes së një interesi të përgjithshëm prandaj duhet të protestojnë të gjithë pavarësisht përkatësisë etnike , bindjeve politike , moshës , gjinisë apo statusit në shoqëri”.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk do të mbetet rast i izoluar përkundrazi do të prodhojë rritje të çmimit të të gjithë artikujve dhe shërbimeve. Kjo rritje kriminale do të kontribuojë në shpopullim të Kosovës , edhe ashtu të rinjtë po ikin në mënyrë masive . Protestat duhen të organizohen në tërë Kosovën dhe KMDLNj fuqishëm përkrahë protesta të karakterit social dhe ekonomik “, thuhet më tej në reagim.


