Hulumtuesi i lartë në KDI, Vullnet Bugaqku, ka thënë se do të ishte kontestuese dhe për dërgim në Gjykatë Kushtetuese nëse raporti do të votohej të martën në atë në mënyrë në Kuvend, ku disa deputetë nuk kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në qeveri.
“Nëse do të votohej raporti në atë mënyrë, që të kishte paqartësi nëse kanë dhënë dorëheqje ose jo një grup i deputetëve apo ka konflikt interesi te një numër i deputetëve që janë edhe anëtarë të qeverisë, besoj se do të ishte një bazë e fortë që tërësisht procedura e konstituimit të Kuvendit të kontestohej në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, dorëheqjet është dashur të bëhen para certifikimit të rezultateve, ndërsa që letra e Kurtit thotë se nuk është dorëheqje siç do të duhej me ligj.
“Ligji është i qartë, ka një dispozitë mjaft të qartë që i ka kërkuar ose i detyron, u jep urdhër në mënyrë obligative anëtarëve të qeverisë që këtë dorëheqje ta paraqesin madje një ditë para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe jo në ditën kur bëhet konstituimi i Kuvendit. Por ta zëmë se ka kaluar ajo fazë dhe ka pasur mjaftueshëm kohë që deri në datën e 15 prillit, një apo dy ditë më herët edhe publikisht t’ia paraqesin edhe sekretarisë së Kuvendit dorëheqjet e tyre, në atë mënyrë që të gjithë deputetët të ishin të njoftuar se dorëheqjet veçse janë njoftuar. Megjithatë, ka pasur mungesë të transparencës, ka pasur edhe njëfarë sjellje joetike, jo të duhur politike, për faktin se kur dështoi miratimi i raportit të komisionit për mandate, tek më vonë u publikua letra e dorëheqjes, pasi dështoi votimi në media u publikua një dorëheqje e kryeministrit Albin Kurti, që thënë të drejtën nuk i ka tiparet e një dorëheqje tipike siç duhet t’i ketë akti i dorëheqjes, në kuptimin juridik po flas, për faktin se nuk e ka bërë të qartë mjaftueshëm nëse është dorëheqje ashtu siç e kërkon edhe vet ligji për qeverinë”, ka theksuar Bugaqku.
Por, a duhet të kthehen sërish në zyrë kryeministri dhe ministrat e dorëhequr, siç vepruan të martën Kurti dhe ministrat e tij?
Sipas hulumtuesit të lartë të KDI-së, pas dorëheqjes kryeministri nuk është më kryeministër dhe nuk ka pse të sillet rreth objektit të qeverisë për të ushtruar mandatin.
“Efekti i dorëheqjes është efekt i menjëhershëm, sidomos kur është publike, e shprehur në mënyrë të vullnetshme dhe i njoftuar Kuvendi dhe të gjitha autoritetet publike. Dhe në momentin kur ti jep dorëheqje, pasojat janë që ti më nga ai moment nuk je më kryeministër, më s’ke çka sillesh rreth objektit të qeverisë, në kuptimin e ushtrimit të mandatit. Çuditërisht këta kanë vazhduar kanë shkuar në objektin e qeverisë. Megjithatë, duhet theksuar se po të kishte thënë kryeministri dorëheqje, s’do të kishte vakum sepse ingerencat apo autorizimet do të mund t’i kryente edhe zëvendësi i tij pa asnjë problem”, ka shtuar ai për Gazeta Blic.
Po ashtu, Bugaqku potencon se vendimet që merren nga kryeministri i ministrat në këtë fazë janë antikushtetuese dhe duhet të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese.
“E njëjta vlen edhe te ministrat, kur japin dorëheqje s’kanë pse të shkojnë në ministri dhe të marrin mendime, siç bëri ministri Murati. Emërimet e bordeve janë të ndaluara prej momentit kur i përfundon mandati dhe rrjedhimisht mendoj se këto vendime janë edhe antikushtetuese dhe mendoj se dikush do të duhej t’i kontestonte këto vendime, t’i çonte në Gjykatë Kushtetuese dhe t’i anulonte, për faktin se janë marrë në një periudhë kur qeveria e ka të kufizuar mandatin dhe kompetencat e saj në ushtrimin efektiv të këtyre përgjegjësive”, ka deklaruar Vullnet Bugaqku nga KDI./Gazeta Blic/


