Ish-ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj, ka reaguar pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke bërë thirrje për respektim të procedurave kushtetuese dhe formim të institucioneve të reja.
Ai për GazetaBlic, theksoi se kjo është në interes të vendit dhe të demokracisë.
“Është në interes të Kosovës dhe të vetë demokracisë parlamentare që të bëhet betimi i deputetëve të zgjedhur, të konstituohet Kuvendi dhe të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët, si dhe organet tjera të legjislaturës së IX-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës,” u shpreh Dedaj.
Ai kërkoi që Qeveria në detyrë të dorëhiqet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke akuzuar ekzekutivin aktual për mungesë serioziteti ndaj institucioneve dhe qytetarëve.
“Qeveria në kujdestari, respektivisht në ikje, duhet të ofrojë dorëheqje konform Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, duke mos u tallur me deputetët dhe vetë qytetarët e Kosovës,” shtoi ai.
Sipas Dedajt, përgjegjës për bllokadën aktuale është Lëvizja Vetëvendosje, të cilën e akuzon për veprime antikushtetuese dhe refuzim të tranzicionit demokratik të pushtetit.
“Se a do të ketë bllokim kjo varet nga LVV, e cila tashmë është dëshmuar si parti e cila me dhjetëra herë e ka shkelur Kushtetutën dhe si subjekt populist, e cila me shumë vështirësi pranon tranzicionin ligjor dhe demokratik të pushtetit.”
Ai thekson se procesi parlamentar duhet të vazhdojë pavarësisht pengesave, për të mundësuar krijimin e institucioneve të reja.
“Megjithatë, seancat duhet të zhvillohen deri në konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe më pastaj të vazhdohet me formimin e Qeverisë së Kosovës.”
Në fund, Dedaj ka bërë thirrje për krijimin e një qeverie të gjerë dhe legjitime, duke paralajmëruar rreziqe në rast se ajo do të varet nga faktorë jo të qëndrueshëm.
“Do ishte në dobi të Kosovës sikur të krijohet një Qeveri e gjerë, serioze, legjitime dhe e aftë për t’u përballur me sfidat të cilat e presin Kosovën. Një Qeveri e Kosovës e cila mund të varet nga Lista Serbe, deputetë individualë të kontrabanduar nga subjektet e pakicave joserbe apo edhe ata të cilët blehen apo shiten për interesa personale, nuk garanton jetëgjatësi, stabilitet shtetëror, partneritet euroatlantik dhe forcim të shtetit dhe të Republikës së Kosovës!”
Ignjatovic: Lista Serbe mund ta mbështesë sërish një qeveri me Kurtin – e kanë bërë edhe më parë
Mustafa: Seanca e djeshme dështoi shkaku i VV’së, e shkruajnë ligjin për ta shkelur vetë


