Pas deklaratës së presidentes Vjosa Osmani, e cila kërkoi që Kuvendi të mblidhet brenda 48 orëve pas dështimit të seancës konstituive ditën e djeshme, ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Çitaku për GazetaBlic konfirmoi se PDK do të marrë pjesë në seancë dhe është e gatshme të vazhdojë procesin parlamentar.
“Po na obligon rregullorja që ta takohemi çdo 48 orë – dhe ne do të jemi aty,” u shpreh Çitaku për GazetaBlic.
Ndryshe, Presidentja Vjosa Osmani i ka kthyer përgjigje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili iu drejtua asaj me kërkesën për “sugjerime” pasi e ndërpreu seancën për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
Në këtë letër, Osmani thotë se Kushtetuta i detyron të jetësojnë e jo të bllokojnë procese.
“Kushtetuta ju detyron të jetësoni e jo të bllokoni procese, mblidhuni brenda 48 orësh”, thuhet në përgjigjen e Presidencës për GazetaBlic.


