Lideri i Nismës, Fatmir Limaj dhe dy deputetet e kësaj partie, Xhevahire Izmaku e Arbëreshë Krasniqi, mund të jenë “shpëtimtarët” e Albin Kurtit për formimin e Qeverisë së re.
Burime të Gazeta Blic kanë bërë ditur se para seancës konstituive pritet të zhvillohet një takim ‘kokë me kokë’ ndërmjet Albin Kurtit e Fatmir Limajt.
Ndonëse nuk është konfirmuar zyrtarisht ky takim as nga VV e as nga Nisma, burime thonë se takimi është paralajmëruar të zhvillohet mëngjesin e nesërm.
“Pritet një takim Kurti- Limaj. Deri tani ka dakordim që takimi të zhvillohet në mëngjesin e nesërm. Nga ky takim varet edhe fati i Qeverisë Kurti 3”, tha ky burim.
Sipas burimeve të GazetaBlic, ky takim vjen në një moment kritik për liderin e Vetëvendosjes, i cili ende nuk i ka siguruar numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë, dhe lëvizjet e tij të fundit tregojnë qartë se po kërkon aleanca që do t’ia mundësonin këtë.
Në këtë kuadër, Limaj shihet si një figurë kyçe që mund ta shpëtojë Kurtin në përpjekjen e tij për të siguruar shumicën parlamentare.
Burime të afërta me VV’në bëjnë të ditur se bisedimet mes dy liderëve do të fokusohen në mundësinë e një bashkëpunimi, që do t’i hapte rrugë krijimit të qeverisë, teksa bëjnë me dije se janë “larg” për t’i siguruar numrat pa koalicion.
Ndërkohë, sot gjatë ditës kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk ka marrëveshje me askënd për formimin e qeverisë, raporton Gazeta Blic.
Ai dha të njëjtën përgjigje edhe kur u pyet nëse do të jetë kandidat për kryetar Kuvendi.
Formimi i Qeverisë dhe posti i kryeparlamentarit, Limaj: Nuk kam marrëveshje me askënd
Në anën tjetër, edhe Kryeparlamentari në detyrë, Glauk Konjufca pas takimit me partitë politike ku u diskutua për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se është e pamundur që të mos krijohet një koalicion në mënyrë që të jenë votat për formimin e Qeverisë së re.
“Kur jemi te Qeveria është e pamundur që të mos themelohet një koalicion që krijon mazhorancën e aftë për të zgjedh me 61 vota një qeveri të re. Të gjitha pozicionet përfshirë atë të kryetarit të Kuvendit i nënshtrohet këtij principi”, tha Konjufca.


