Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka komentuar sot procesin e krijimit të qeverisë pas mbledhjes me Kryetarin e Kuvendit, raporton GazetaBlic.
Sipas tij, procesi është tejet i komplikuar dhe deri më tani nuk ka shenja që Lëvizja Vetëvendosje (VV) të ketë siguruar numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë. Nitaj tha se gjithçka mbetet e hapur për opozitën, e cila, si e bashkuar, ka shumicën, megjithëse formula për krijimin e qeverisë mbetet njëkohësisht e komplikuar.
Ai theksoi gjithashtu se edhe konstituimi i Kuvendit do të jetë një veprim i komplikuar. Sipas Nitaj, gjatë mbledhjes me Kryetarin e Kuvendit, u sqarua se, sipas Rregullores, Kuvendi konsiderohet i konstituar vetëm pasi të zgjidhen Kryetari dhe pesë nënkryetarët, përfshirë dy nënkryetarët nga radhët e pakicës serbe dhe komuniteteve të tjera jo shumicë.
“Sipas kësaj logjike, është e mundur që konstituimi i Kuvendit të jetë në dorën e Listës Serbe!” – shtoi Nitaj.
Ai përfundoi duke thënë se gjithçka po duket se po zhvillohet në një mënyrë që mund të çojë drejt një situate ku vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje.
“Krejt po duket se dikush po punon që të bëhet llugë e vendi të shkojë prapë në zgjedhje!” – përfundoi Nitaj.


