Njohësi i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka komentuar rritjen e inflacionit dhe ndikimin e saj në Kosovë, duke theksuar se kjo është një situatë që po preku të gjitha shtetet, përfshirë edhe Kosovën.
Ai për GazetaBlic theksoi se disa faktorë kanë ndikuar në këtë fenomen, ku faktori kryesor është pushtimi rus në Ukrainë, i cili ka pasur një ndikim të madh në çmimet e produkteve në nivel global. Sipas Misinit, kjo situatë do të vazhdojë të ndikojë negativisht, sidomos në vendet më të varfra.
“Të gjitha vendet po përballen me një rritje të inflacionit, dhe kjo ka reflektuar edhe në Kosovë. Kemi shumë faktorë që kanë ndikuar, por faktori kryesor është pushtimi rus në Ukrainë, që godet vendet më të varfëra dhe ka shkaktuar një rritje të vazhdueshme të inflacionit. Kjo, pasi këto dy shtete kanë pasur tregti me shumë vende të tjera të botës dhe kanë pasur një impakt të madh në rritjen e çmimeve të produkteve të ndryshme në shumë vende të botës”, tha Misini.
Ai gjithashtu shpjegoi ndikimin që ka kjo rritje çmimesh në Kosovë, sidomos në shtresat me të ardhura më të ulëta, dhe në standardin e jetesës së qytetarëve.
“Andaj, rritja e çmimeve prek më së shumti vendet e varfëra, siç është rasti i Kosovës. Inflacioni në Kosovë prek kryesisht shtresat që kanë të ardhura më të ulëta dhe godet standardin e jetesës së qytetarëve. Po ashtu, gërryen fuqinë blerëse dhe ka ndikim negativ në cilësinë dhe kualitetin e jetesës së qytetarëve kosovarë”, shtoi ai.
Misini gjithashtu komentoi parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe rritjen e mundshme të çmimeve edhe më tej.
“Rritja e çmimeve të produkteve elementare, si vaji, sheqeri dhe mielli, ka shënuar një rritje prej 61.51% nga viti 2020 deri në vitin 2024. Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera. Gjithashtu, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar një rritje të çmimeve me 2% për vitin 2025, duke mos e llogaritur çmimin e energjisë elektrike, kështu që inflacioni do të jetë më i lartë gjatë këtij viti, duke pasur parasysh edhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike.”
Në fund, ai u shpreh për paradoksin që po përballet Kosova, ku të ardhurat janë të ngjashme me ato të Libisë, ndërsa kostoja e jetesës është më e lartë se në shumë vende të zhvilluara.
“Kosova ka të ardhura për kokë banori të ngjashme me Libinë, ndërsa koston e jetesës për produkte elementare e ka më të lartë se vendet më të zhvilluara të botës. Ky është një paradoks i madh, dhe përgjegjësinë për këtë situatë duhet ta mbajnë politikanët kosovarë, pasi ata janë përgjegjësit kryesorë të kësaj gjendje ekonomike në Kosovë”, tha Misini për GazetaBlic.


