Kryeministri Edi Rama ka theksuar se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mund të sjellë një buxhet shtesë prej mbi 1 miliard eurosh në vit, të cilat mund të përdoren për realizimin më të shpejtë të projekteve të rëndësishme për zhvillimin e vendit.
Gjatë një komunikimi live në rrjetet sociale, Rama e konsideroi këtë mundësi si një avantazh të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, duke shtuar se pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të jenë grante dhe jo kredi.
“Ne do të humbasim mbi 1 miliard euro në vit, nga të cilat 90% janë grant, para dhuratë ose të ndara pa interes financiar”, – tha Rama. “Nëse hyjmë në BE, shumëçka që ka nevojë të bëhet më shpejt, bëhet më shpejt, sepse faktikisht fitojmë një buxhet ekstra”.
Kryeministri shprehu gjithashtu besimin se Shqipëria është në një fazë transformimi dhe se vendi është i gatshëm të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Ai theksoi se, përkundër kritikave që mund të vinë nga ata që nuk besojnë në mundësinë e anëtarësimit, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj në përmbushjen e kushteve të BE-së.
“Shqipëria është një vend i cili shihet me respekt, me besim dhe si një destinacion turistik që rritet çdo vit me shpejtësi marramendëse”, tha ai. “Nëse Shqipëria do të ishte mesjetë, asnjëra dhe as tjetra nuk do të ndodhte.”
Rama iu përgjigj edhe skeptikëve, të cilët e cilësojnë procesin e anëtarësimit si një “utopi.” Ai theksoi se, nëse do të ishte një utopi, BE nuk do të kishte vendosur një afat të qartë për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027.
“Po të ishte utopi, nuk do të ndodhte kjo,” – shtoi Rama. “BE ka një interes të madh politik për të zgjeruar dhe ne duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë mundësi.”
Rama theksoi se vota e 11 majit është një moment shumë i rëndësishëm për procesin e integrimit dhe për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Vota e 11 majit është shumë e rëndësishme, sepse negociatat janë një proces që nuk ka asnjë ditë për të humbur“, tha ai. “Nëse humbasim qoftë edhe një ditë, atëherë gjërat shtyhen dhe portat mund të mbyllen.”
Rama përfundoi duke theksuar se Shqipëria është në një moment historik dhe duhet të shfrytëzojë këtë mundësi të jashtëzakonshme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Ai nënvizoi se përkundër vështirësive që mund të shoqërojnë këtë proces, Shqipëria është në rrugën e duhur dhe nuk duhet të lëkundet në momentin e fundit.
“Ky është një mundësi që nuk duhet humbur”, përfundoi ai. “Nëse humbasim këtë mundësi, mund të jetë fatale për të ardhmen e vendit.”


