Anëtarja e Bordit Ekzekutiv të Akademisë për Zhvillimin e Demokracisë (AZHD), Aleksandra Jerkov, prezantoi sot një iniciativë për ndryshimin e përkufizimit ligjor të përdhunimit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo sqaroi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të mbajnë një përkufizim të vjetruar dhe të pasaktë të përdhunimit, i cili nënkupton përdorimin e forcës fizike ose kërcënimin me forcë fizike – një skenar që, në shumicën e rasteve, nuk ndodh, sepse viktimat reagojnë në mënyra të ndryshme dhe shpesh nuk ofrojnë rezistencë fizike, duke e bërë kështu të vështirë për to të provojnë aktin penal që është kryer ndaj tyre.
Ajo shtoi se hulumtimet tregojnë se mbi 85% e grave në situata përdhunimi “ngriren” nga frika, ndërsa kjo shifër është edhe më ekstreme tek vajzat, ku 98% e tyre nuk ofrojnë rezistencë fizike ndaj përdhunuesit. Përkufizimi aktual ligjor i përdhunimit nuk e merr parasysh këtë realitet, çka e bën thuajse të pamundur për viktimat të provojnë se janë përdhunuar, edhe nëse vendosin të raportojnë rastin, pavarësisht të gjitha pengesave të tjera.
Përveçse është i pasaktë dhe i tejkaluar, përkufizimi ligjor ekzistues i përdhunimit nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me dispozitat e Konventës së Stambollit të Këshillit të Evropës, të cilën të gjitha vendet e rajonit e kanë ratifikuar.
Për këtë arsye, Akademia për Zhvillimin e Demokracisë ka nisur një iniciativë në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor për të ndryshuar përkufizimin ligjor të përdhunimit, në mënyrë që çdo marrëdhënie seksuale pa pëlqim të qartë të konsiderohet përdhunim, dhe që kushti për përdorimin e forcës fizike të hiqet nga ligji. Aleksandra Jerkov theksoi se AZHD ka kryer një analizë të detajuar të kodit penal në të gjitha vendet e rajonit dhe ka propozuar ndryshimet konkrete dhe amendamentet që duhet të miratohen.
Paralelisht me këtë, AZHD ka punuar intensivisht me partitë politike për të siguruar miratimin e këtyre ndryshimeve në parlamentet përkatëse. Mija Javornik dhe Aleksandra Jerkov, si koordinatore të projektit, kanë vizituar disa herë të gjitha vendet pjesëmarrëse dhe kanë zhvilluar një sërë takimesh me partitë politike, parlamentet, ministritë, organizatat joqeveritare dhe organizatat ndërkombëtare.
Aleksandra Jerkov bëri të ditur se Mali i Zi tashmë ka miratuar ndryshimet në kodin penal që parashikojnë domosdoshmërinë e pëlqimit në përkufizimin e përdhunimit. Ajo theksoi se në Federatën e Bosnjë dhe Hercegovinës janë propozuar ndryshime në kodin penal që gjithashtu heqin kushtin e përdorimit të forcës dhe futin pëlqimin si element thelbësor. Edhe Kosova ka miratuar ndryshimet ligjore që kërkojnë ekzistencën e pëlqimit për marrëdhënien seksuale, dhe në Kuvendin e Kosovës është organizuar konferenca “Vetëm PO do të thotë PO”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha institucioneve relevante dhe organizatave ndërkombëtare.
Sa i përket Maqedonisë së Veriut, janë vendosur kontakte me të gjitha partitë politike dhe pritet që kjo çështje të përfshihet në agjendë sapo të fillojë punën qeveria e re. Në Shqipëri ekziston një gatishmëri parimore për të miratuar ndryshimet në kodin penal, por nevojiten kontakte shtesë me partitë politike dhe institucionet përgjegjëse. Jerkov theksoi se partia në pushtet në Serbi nuk ka treguar asnjë interes për ta vendosur këtë temë në rendin e ditës, për ta diskutuar apo për ta marrë në konsideratë, duke penguar kështu përmirësimin e mbrojtjes së viktimave të përdhunimit.
Projekti “Zhvillimi i politikave për luftën kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave në Ballkanin Perëndimor” po zbatohet nga Akademia për Zhvillimin e Demokracisë me mbështetjen e Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashakuar dhe Fondacionit Westminster për Demokraci.


