Sipas Reuters, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov pretendoi se Rusia është e gatshme ta arrinte një marrëveshje të re për sigurinë e transportit detar në Detin e Zi – një hap i mundshëm drejt një armëpushimi me Ukrainën – por vetëm nëse Shtetet e Bashkuara do ta urdhëronin presidentin Volodymyr Zelensky që ta respektonte atë.
Të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën për dështimin në vitin 2023 të një marrëveshjeje të mëparshme, e cila synonte ta siguronte transportin tregtar në Detin e Zi, pas vendimit të Rusisë për të dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt 2022.
“Do të na duhen garanci të qarta. Dhe, duke pasur parasysh përvojën e hidhur të marrëveshjeve vetëm me Kyivin, garancitë mund të jenë vetëm rezultat i një urdhri nga Washingtoni për Zelenskyn dhe ekipin e tij që ta bëjnë një gjë, dhe jo një tjetër”, tha Lavrov në një deklaratë televizive.
Reuters thotë se komentet e Lavrovit tregojnë se Rusia do të kërkojë një rritje të mëtejshme të presionit amerikan mbi Zelenskyn përpara se të pranojë një armëpushim detar, gjë të cilin Washingtoni e sheh si një hap të rëndësishëm drejt një armëpushimi më gjithëpërfshirës.
Në përditësimin e tij të zakonshëm mbrëmë, Zelensky tha se “Rusia mbetet i vetmi aktor që po e zvarrit këtë luftë, duke u tallur si me popullin tonë ashtu edhe me komunitetin global”, ndërsa bëri thirrje për “veprime të forta” për ta “shtyrë Rusinë drejt paqes”.


