B.D., 19-vjeç, e ka pranuar fajësinë për vrasjen e një bashkëmoshatari të tij në Vushtrri të dielën, tha sot një zëdhënës i Prokurorisë.
I dyshuari e ka pranuar fajësinë për vrasjen e A.Z., po ashtu 19-vjeç, gjatë dhënies së deklaratës në polici, tha zëshënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.
Preteni tha se prokurori e ka ndaluar të pandehurin për 48-orë.
“Është arrestuar një i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, dhe i njëjti me vendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer kjo vrasje, prokuroria dhe policia janë duke mbledhur provat relevante në lidhje me rastin. Gjatë marrjes së deklaratës i pandehuri e ka pranuar fajësinë për vrasjen”, ka thënë Preteni.
Ai tha se në afatin e paraparë ligjor prokuroria do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Në një njoftim për media të hënën, policia tha se 19-vjeçari A.Z. është vrarë nga të shtënat me armë në rrugën ‘Galip Badivuku’ në Vushtrri.
Tri gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes, tha policia. /Paparaci.com


