Lajme

Ymeri: LDK ka nevojë për unitet të ri, jo për lidership të ri – Opozita nuk ka gatishmëri ta formojë qeverinë

03/21/2025 10:53
nga:Sh R

Analisti politik Visar Ymeri, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku Avdullah Hoti deklaroi se partia ka nevojë për një lidership të ri. Por Ymeri thotë se LDK nuk ka nevojë për një lidership të ri por për unitet të ri, raporton GazetaBlic.

Sipas tij, kërkesat e shfaqura nga Avdullah Hoti për ndryshime në udhëheqjen e partisë janë legjitime dhe demokratike, por ato nuk mund të bazohen vetëm në rezultatet zgjedhore.

Ymeri  në një intervistë për GazetaBlic, theksoi se LDK ka arritur një rezultat pozitiv në zgjedhjet e fundit, duke u rritur krahasuar me vitin 2021, dhe kjo duhet vlerësuar në përputhje me rrethanat, jo vetëm në bazë të dëshirave individuale për më shumë suksese.

“Është e drejtë e selicit antarë, e veçanarisht e figurave emininete të LDK-së të kenë qëndrime që dallojnë prej atyre të kryetarit apo të antarëve të kryesisë. Kërkesat apo kjo shfaqeje e paknaqësive nga Hoti është komplet legjitime dhe demokratike, kështu që nuk ka se cfarë të gjykohet aty. Megjithatë nëse bazohet kërkesa në ndryshim të lidershipit vetëm në rezultat zgjedhor konsideroj se kjo është e pabazueshme sepse Lidhja Demokratike e Kosovës ka pas një rezultat pozitiv në këto zgjedhje, nëse e krahasojmë me rezultatin që kishte në vitin 2021 dhe nëse e krahasojmë më pikë nisjen në vitin 2021, pra ka një rritje domethënëse dhe një kthim të një entuziazmi te LDK.

“A ka mund të jetë kjo më e madhe mbase edhe ka mund por megjithatë mendoj se kur vlerësohen racionalisht dhe objektivisht rezultatet zgjedhore ato duhen vlerësuar edhe në përputhje me rethanat në të cilat ka vepru e jo vetëm në dëshirat dhe vullnetet e individëve ose grupeve për të arritur një sukses më të madh. Sigurisht që secili në LDK ka dashur që të ketë një rezultat më të mirë sic kanë dashur të gjithë antarët të secilës parti të Kosovës, as antarët e partisë së parë nuk janë të kënaqur me rezulatet sepse në proces zgjedhor kurrë nuk kënaqen të gjithë. LDK nuk ka nevojë për një lidership të ri por LDK ka nevojë për një unitet të ri”, tha ai.

Në lidhje me formimin e qeverisë, Ymeri vuri në dukje se situata aktuale është e vështirë, pasi asnjëra prej palëve, përfshirë LVV dhe kryetarin Albin Kurti, nuk kanë dhënë ende një ide të qartë për formimin e një qeverie.

Ai theksoi se krijimi i një qeverie me përkrahjen e pakicave jo-serbe është numerikisht i pamundur.

“Tash jemi në një pozicion jashtëzakonisht të vështirë, sepse asnjëra prej palëve nuk po lëviz drejt një kompromisi për ta krijuar qeverinë, deri tash LVV dhe kryetari i saj Albin Kurti nuk kanë dhënë ende asnjë shenjë se si do ta krijojnë ata qeverinë, ato që i thonë ata se do ta krijojnë qeverinë vetëm me pakicat jo serbe është e pamundur, numerikisht është e pamundur, nëse ata mendojnë se do të marrin deputetë individual nga grupet tjera parlamentare, kjo mbetet të shihet mirëpo nuk mendoj që një qeveri e tillë i duhet Kosovës.

Ai shton se gjasat më të mëdha për të krijuar qeverinë e kanë partitë të cilat deri para zgjedhjeve ishin në opozitë, por thekson se aty shihet që nuk ka gatishmëri të njejtë nga secila prej partive.

Ymeri gjithashtu theksoi se, për të formuar një qeveri të qëndrueshme, është e domosdoshme që të merren parasysh zhvillimet gjeopolitike, pasi ato do të ndikojnë drejtpërdrejt në politikën e brendshme të Kosovës.

“Natyrisht që gjasat më të madha për ta krijuar qeverinë nëse e shikojmë numerikisht e kanë partitë të cilat kanë qenë deri para zgjedhjeve në opozitë, mirëpo aty shihet që nuk ka gatishmëri të njejtë nga secila prej partive. LDK duket njëra prej tyre që nuk e ka interesimin e njejtë siç e ka PDK. Qfardo qeverie që të krijohet mendoj që ajo qeveri do të kërkojë nga partitë politike të bëjnë kompromise që ata mund ti mendojnë si të dhimbshme. Mendoj që qeveria e Kosovës duhet të krijohet në bazë dhe në përputhje me zhvillimet e gjithëmbarshme gjeopolitike, leximin që ne ua bëjmë atyre zhvillimecve dhe ndikimin që mund ta kenë në rajon dhe në Kosovë. Mendoj se më është më shumë se kurrë e rëndësishme se kush do ta udhëheqë qeverinë dhe si do të udhëhiqet ajo qeveri në raport me zhvillimet gjeopolitike në përgjithësi”, tha ai.

Sipas tij, PDK dhe LDK janë dy partitë që kanë një program të ngjashëm dhe mund të bëhen bashkë në një qeveri të mundshme, nëse arrijnë të gjejnë kompromis për të zbatuar programin e tyre dhe për të përmbushur premtimet elektorale.

“Nëse e shohim nga prespektiva programore dhe zotimeve elektorale që i kanë pas partitë poltike, qartazi shihet se një prej ngjashmërive më të mëdha ekziston me PDK dhe LDK. Programatikisht dy partitë që kishin me qenë më së lehti të përafrueshme janë PDK dhe LDK, asnjë prej programeve tjera të partive politike nuk janë kaq lehtë të përafrueshme sesa këto të dya”, u shpreh ai

Ymeri përfundoi duke theksuar se zbatimi i programit duhet të jetë përparësi për partitë politike, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet zhvillimi dhe stabiliteti i vendit.

“Dhe mendoj që partitë poltike gjatë zgjedhjeve natyrisht që garojnë për të marrë pushtetin dhe është e rëndësishme edhe për ti marrë pozitat e rëndësishme në qeveri, por do duhej ti jepnin pak më shumë zbatimit të programit, tek e fundit zbatimi i programit kish me qenë synim dhe pastaj fitore e partisë politike nëse arrin me bë një gjë të tillë”, tha Ymeri për GazetaBlic.