Lajme

Formimi i Qeverisë | Burjani tregon tri opsionet që ka opozita në Kosovë

03/20/2025 19:10
nga:Genita C

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, ka komentuar për situatën aktuale politike në Kosovë dhe mundësitë që ka opozita për të vepruar në këtë periudhë.

Ai për GazetaBlic theksoi se opozita po vlerëson opsionet e saj, nëse do të formojnë një qeveri opozitare apo nëse shteti do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sipas Burjanit, “Me siguri se janë duke vlerësuar opsionet e tyre, nëse dëshirojnë të formojnë një qeveri opozitare apo shteti të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Përcaktimi i opozitës mund të jetë përcaktues edhe për fatin e saj, sa përqindje mund të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme, më shumë apo edhe më pak.”

Burjani shtoi se opozita duhet të analizojë se “çka fiton nëse formojnë qeverinë dhe çka nëse nuk e bëjnë.” Ai po ashtu ngriti pyetjen nëse opozita do t’i japë votat VV për të qeverisur përkohësisht deri në zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se “Ky përcaktim për opozitën është shumë kompleks dhe shumë i vështirë.”

Ai gjithashtu theksoi opsionet që ka opozita në këtë situatë.

“Opozita ka tre opsione: të bëjë qeverinë e shumicës duke bashkëpunuar me partitë e pakicave, ose t’ua japin votat VV për një qeverisje afatshkurtër njëvjeçare, apo shteti të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në vjeshtën e këtij viti.”

Burjani përmendi edhe opsionin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke thënë se nëse opozita nuk do të japë votat VV për të formuar qeverinë, dhe VV nuk mund të bëjë qeveri, atëherë zgjedhjet janë të pashmangshme.

“Opsioni tjetër mbetet zgjedhjet e jashtëzakonshme, po që vetë nuk bëjnë qeverinë, nuk japin votat VV për të formuar qeverinë, dhe VV nuk mund të bëjë qeveri. Atëherë zgjedhjet janë të pashmangshme,” përfundoi Burjani për GazetaBlic.

Shala: Takimi mes opozitës, lajm i mirë – Na duhet një qeverisje e re pa Kurtin dhe VV’në brenda saj

A jemi më afër të një qeverie nga opozita? Flet Kelmendi