Historiani Azdren Shala ka komentuar takimin e zhvilluar nga lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me dy liderët opozitarë, Bedri Hamza dhe Ramush Haradinaj.
Shala për GazetaBlic tha se beson që ky takim ka ardhur si pasojë e presionit publik që është bërë në drejtim të Abdixhikut, si dhe situatës brenda LDK-së, ku eksponentë të rëndësishëm të kësaj partie, që e kanë kritikuar, kanë kërkuar një bashkëpunim me opozitën për të hequr Kryeministrin Albin Kurti.
“Takimi i Abdixhikut me dy liderët opozitarë, Bedri Hamza dhe Ramush Haradinaj, besoj se ka ardhur pas presionit publik që është bërë në drejtim të z. Abdixhiku, si dhe situatës brenda LDK-së, ku eksponentë me rëndësi të kësaj partie që e kanë kritikuar, me siguri që një nga kërkesat e tyre ka qenë ofrimi me opozitën për ta hequr Kurtin,” tha Shala.
Pavarësisht motivit, Shala e cilëson takimin e liderëve opozitarë si një lajm të mirë.
Ai thekson se opozita ka një detyrë të rëndësishme për të krijuar një qeveri të re për të larguar Kurtin nga pushteti, duke e cilësuar qeverisjen e tij si të dëmshme për vendin, si në nivelin e qeverisjes së brendshme, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Takimi i liderëve opozitarë është lajm i mirë. Opozita duhet ta krijojë qeverinë e re në mënyrë që ta heqim Kurtin, qeverisja e të cilit i ka sjellë dëme vendit, si në qeverisjen e brendshme ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare,” tha ai.
Në fund, Shala shpreson se ky takim do të shënojë fillimin e një periudhe të re për Kosovën.
“Uroj që takimi i sotëm të jetë fillimi i mbarë që në fund të kurorëzohet me një qeverisje të re pa Kurtin dhe LVV-në brenda saj,” përfundoi Shala.


