Lajme

Sulmohet furgoni që po bartte para afër “Albi Mall”, një i plagosur

03/17/2025 11:47
nga:Gazeta Blic

Një person është plagosur sot te Qendra Tregtare “Albi Mall” në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para.

Kështu bëri të ditur për Gazeta Blic, Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës.

“Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para”, tha ajo.

Ahmeti ka njoftuar se personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor.

“Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë, janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, tha Ahmeti./Gazeta Blic/