Protestuesi në Serbi u tronditën nga përdorimi i një arme të specializuar zanore, e cila shkaktoi panik dhe kaos mes protestuesve të mbledhur për të nderuar viktimat e një tragjedie të fundit në Novi Sad.
Sipas ekspertëve ushtarakë, zhurma e fortë që theu 15 minutat e heshtjes së protestuesve ishte shkaktuar nga një ‘top zanor’, një armë jo vdekjeprurëse që përdoret për të çorientuar dhe frikësuar turmat, shkruan N1.
Vëzhguesit e sigurisë dhe analistët ushtarakë, përfshirë Aleksandar Radiq, kanë konfirmuar për mediumin se se ky mjet është pjesë e arsenalit të sigurisë shtetërore serbe dhe është përdorur me qëllimin e qartë për të destabilizuar protestën paqësore.
“Pyetja kryesore është: kush dha urdhrin për përdorimin e kësaj arme? Në një moment kur protestuesit ishin të qetë dhe po nderonin viktimat, regjimi vendosi të demonstrojë forcën në mënyrë brutale. Ky është një akt arrogance dhe një shfaqje e hapur e urrejtjes ndaj qytetarëve të tij,” deklaroi Radiq për portalin N1.
Edhe deputeti opozitar Zdravko Ponos ka deklaruar se informacionet që ka marrë konfirmojnë përdorimin e një arme zanore për të frikësuar protestuesit. “Reagimi i njerëzve, ndjesia se diçka u kaloi pranë, është një efekt i qëllimshëm i kësaj arme. Ajo u përdor për të krijuar panik dhe për të trembur qytetarët,” ka deklaruar ai.
Një top zanor, i njohur gjithashtu si një armë akustike ose armë me energji të drejtuar, është një pajisje që lëshon valë të fuqishme zanore ose për të shkaktuar shqetësim fizik ose për të çorientuar individët.


