Lajme

Sadiku: Lëvizja Vetëvendosje të bëjë Qeverinë e pakicës ose vendi të shkojë në zgjedhje të reja!

03/15/2025 13:43
nga:Y I

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se për LDK-në është shumë e rëndësishme që të ketë qeveri stabile.

Abdixhiku në Rubikon tha se nuk ka asnjë arsye të vetme që LDK të jetë pjesë e ndonjë qeverie që është afatshkurtër e pastaj të shkohet në zgjedhje prapë.

“Për LDK-në është shumë e rëndësishme që të ketë qeveri stabile. Nuk ka asnjë arsye të vetme LDK-ja të jetë pjesë e ndonjë qeverie që është afatshkurtër dhe që hyn me një konstelacion të ndërlikuar, për të shkuar në zgjedhje në mars. Kështu se bëjmë. S’duhet të bëhet”, tha ai raporton “Gazeta Blic”.

Në lidhje me deklaratën e kryetarit të LDK-së ka folur për “Gazeta Blic”, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Arbnor Sadiku.

Sadiku tha se kjo e sforcon pozicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të qëndruar më shumë në opozitë sesa në pozitë.

“Kjo e sforcon pozicionin e LDKsë, për të qëndruar me shumë ne opozite sesa ne pozitë” tha Sadiku.

Ai tutje u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje të bëj qeveri të pakicës ose vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

“LVV të bëj Qeverinë e pakices, ose vendi të shkoj në zgjedhje të reja parlamentare” tha Sadiku në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Pas më shumë se një muaji nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentar sot, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, pritet të shpallë rezultatet përfundimtare.

Kështu ka konfirmuar për “Gazeta Blic”, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Ju njoftoj se sot (e shtunë, 15 mars 2025, ora 16:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të Zgjedheve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 9 shkurt 2025”. tha Elezi për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

KQZ mblidhet sot në orën 16:00 për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve