Sot pritet të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit nga ana e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Lajmin e ka konfirmuar dje për “Gazeta Blic” zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi .
“Mund t’iu konfirmoj se të shtunën, më 15 mars 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të Zgjedheve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 9 shkurt 2025. Për orën e saktë të mbledhjes së KQZ-së do t’iu njoftojmë me kohë”, tha Elezi për Gazeta Blic.
Asnjëra nga subjektet politike nuk ka arritur të fitojë shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme ç’ka lind nevojën për koalicion qeverisës.
Lëvizja Vetëvendosja (LVV) ka marrë 48 mandate, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 24, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 20, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 8 mandate.
Por kush pritet t’a formojë Qeverinë dhe kush me kë mund të bëjë koalicion?
Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic”, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli.
Humolli tha se asnjëra nga subjektet politike se ka marrë mandatin për të qeverisur e vetme.
Ai potencoi se ‘në rrethanat që po kalojmë është normale me pas qeveri të ‘Unitetit Kombëtar’.
“Asnjë parti se ka marr mandatin per ta ber qeverin vetë. Në rrethana normale duhet të diskutohet se cili program i ofron për të qeverisë e jo cili individ.E parashikimet duhet të bëhen në rrethana normale. Përgjegjësi për jo normalitetin politik kanë të gjitha partitë. Në rrethanat që po kalojmë është normale me pas qeveri të ‘Unitetit Kombtar’ për të kriju rrethana normale” tha Humolli në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


