Lajme

Ymeri: Në momentin që përjashtohet bashkëpunimi me VV-në, mbesin veç dy opsione, koalicion opozitar ose zgjedhje

1 ditë më parë
nga:Y I

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se për LDK-në është shumë e rëndësishme që të ketë qeveri stabile.

Abdixhiku në Rubikon tha se nuk ka asnjë arsye të vetme që LDK të jetë pjesë e ndonjë qeverie që është afatshkurtër e pastaj të shkohet në zgjedhje prapë.

“Për LDK-në është shumë e rëndësishme që të ketë qeveri stabile. Nuk ka asnjë arsye të vetme LDK-ja të jetë pjesë e ndonjë qeverie që është afatshkurtër dhe që hyn me një konstelacion të ndërlikuar, për të shkuar në zgjedhje në mars. Kështu se bëjmë. S’duhet të bëhet”, tha ai raporton “Gazeta Blic”.

Në lidhje me deklaratën e Abdixhikut ka folur për “Gazeta Blic” drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri.

Ymeri tha se kryetari i LDK-së dhe LDK-ja po mbajnë të njëjtat qëndrime që kanë patur gjatë fushatës.

Ai tha se secila parti garon në zgjedhje me premtimin për zbatim të programit dhe se kjo është e mundur vetëm duke u bërë pjesë e Qeverisë.

“Kryetari i LDK-së dhe LDK po i mbajnë të njëjtat qëndrime që i kanë pasur gjatë fushatës. Edhe pse e kuptoj që insistojnë në rëndësinë e konsistencës me zotimet gjatë fushatës, po ashtu mendoj që jo secili zotim e ka të njëjtën natyrë. Për sa kohë që nga liderët e partive politike pritet t’i qëndrojnë besnik programeve të tyre dhe premtimeve elektorale për sa i përket politikave, kur vjen puna të koalicionet kjo gjë ndryshon. Secila parti garon në zgjedhje me zotimin për zbatim të programit dhe ky zbatim është i mundshëm vetëm duke u bërë pjesë e qeverisë” tha Ymeri.

Ymeri theksoi se zgjedhjet e fundit nuk janë zhvilluar në një situatë normale dhe se Kosova nuk është në një situatë komode si shtet.

Ai tha se ‘partitë politike duhet ta vënë përpara interesin e vendit’.

Ndërsa duke iu referuar deklaratave të kreut të LDK-së, Ymeri, tha se i njëjti nuk po e mban mbyllur derën e bashkëpunimit të mundshëm me partitë e tjera opozitare.

“Po ashtu zgjedhjet e fundit në Kosovë nuk janë zhvilluar në një situatë normale, dhe as nuk jemi në një situatë komode si shtet. Rrjedhimisht mendoj që partitë politike duhet ta vënë përpara interesin e vendit. Megjithatë mendoj që LDK me ato që i kanë thënë deri tash nuk e mbanë mbyllur derën e bashkëpunimit të mundshëm me partitë tjera që ishin në opozitë, për ta krijuar qeverinë pa LVV-së” deklaroi ai.

Ymeri potencoi se tashmë të gjitha subjektet politike janë shprehur që s’e duan koalicionin me LVV-në dhe se mbeten vetëm dy opsione, koalicion opozitar ose zgjedhje.

“Të mos harrojmë të gjitha këto parti tashmë janë pajtuar që koalicionin me VV-në nuk e duan asnjëra. Në momentin që ky opsion përjashtohet nuk mbesin edhe shumë mundësi tjera: koalicion të opozitës së deridjeshme ose zgjedhje” deklaroi Ymeri në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/