Lajme

Për vitin e tretë me radhë, në Kosovë u organizua Festivali i Matematikës

1 ditë më parë
nga:Sh R

Instituti për Promovimin e Metodës Shkencore,  mbështetur nga shtëpia botuese “Dukagjini”, shënuan “Festivalin e Matematikës” për të tretin vit me radhë, duke vlerësuar dhe nxitur ndjenjën dhe pasionin për matematikën dhe ndërlidhjen e saj me krijimtarinë artistike.

Ky aktivitet që shënoi Ditën e Matematikë u mbajt në shkollën “Meto Bajraktari” në Prishtinë dhe përfshiu nxënës dhe mësimdhënës nga të gjitha shkollat e Kosovës.

Drejtorja e ShFMU “Meto Bajraktari”, Kreshnike Ademi, tha se u ndien mjaft të lumtur që këtë edicion ishin pritës të këtij aktiviteti vlerë-promovues.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një fjalë rasti, shprehu uratat e saj më të mëdha për një organizim të tillë, me shpresën që viteve të tjera do të organizohet në nivel të të gjitha shkollave në Kosovë.

Fatjon Zekaj nga shtëpia botuese “Dukagjini” tha se do të jenë përherë të gatshëm të përkrahin aktivitete e projekte të tilla që promovojnë dëshirën për dije dhe art. Ai theksoi që shtëpia botuese “Dukagjini” është çdoherë mirëpritëse ndaj projekteve të tilla, duke inkurajuar nxënësit e mësimdhënësit që të marrin iniciativa të tilla në të ardhmen.

Nga Instituti për Promovimin e Metodës Shkencore, profesori Arbër Selimi tha se organizimi i kësaj dite dhe përfshirja e nxënësve dhe e mësimdhënësve në këtë temë ka nisur si nxitje për një mësimdhënie ndryshe për matematikën.

Dekan i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, profesor Kajtaz Bllaca, tha që ndihet i nderuar që është pjesë e një organizimi të tillë për matematikën, që nxit në pjesëmarrje nxënës e mësimdhënës.

Në këtë organizim, juria e përbërë nga: Kajtaz Bllaca, Fatjon Zekaj dhe Arbër Selimi ndanë edhe çmimet për të tria kategoritë:

Në kategorinë “Video deri në tre minuta” (nga mësimdhënësit e matematikës, ku tregojnë se pse e kanë zgjedhur profesionin e tyre), u shpërblyen:

 

Vendi 1: Age Dedaj;

Vendi 2: Rozafe Hajrizi;

Vendi 3: Ajete Likaj-Gjuli.

Në kategorinë “Video deri në dy minuta” (Sikur të isha mësimdhënës, ja si do ta shpjegoja matematikën), u shpërblyen:

 

Vendi 1: Bora Puka;

Vendi 2. Grup nxënësish nga ShFMU “Ismet Rraci”, Klinë;

Dhe 3 vende të treta: Lum Morina; Adela Llapashtica dhe Rina Gjoshi (tri punime të ndryshme të shpërblyera)

 

Në kategorinë: “Vepër arti  e lidhur ose inspiruar nga matematika” (vizatim, pikturë ose konstruksion), u shpërblyen:

Vendi 1: Grup nxënësish nga ShFMU “Faik Konica”;

Vendi 2: Lis Binaku dhe Noar Muji nga ShFMU “Meto Bajraktari”;

Dhe 2 vende të treta: Elbuna Hoxha nga ShFMU “Dardania” dhe Adea e Adela Millaku nga ShFMU “Faik Konica”.

Për tri vendet e para, në një koncept pjesëmarrës të Festivalit e jo të garës, shpërblimet ishin: 200, 150 dhe 100 euro.

Gjithë qëllimi i këtij aktiviteti shenjues është të rritet hapësira publike ku diskutohen matematika, shkencat dhe arsimi në Kosovë. Përmes këtij Festivali tashmë të kthyer në traditë, te fëmijët nxitet kreativiteti dhe, po ashtu, rritet motivimi për t’u marrë me shkenca natyrore.

Dita Ndërkombëtare e Matematikës është një festë mbarëbotërore në të cilën organizohen aktivitete të ndryshme edukative.