Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se për LDK-në është shumë e rëndësishme që të ketë qeveri stabile.
Abdixhiku në Rubikon tha se nuk ka asnjë arsye të vetme që LDK të jetë pjesë e ndonjë qeverie që është afatshkurtër e pastaj të shkohet në zgjedhje prapë.
“Për LDK-në është shumë e rëndësishme që të ketë qeveri stabile. Nuk ka asnjë arsye të vetme LDK-ja të jetë pjesë e ndonjë qeverie që është afatshkurtër dhe që hyn me një konstelacion të ndërlikuar, për të shkuar në zgjedhje në mars. Kështu se bëjmë. S’duhet të bëhet”, tha ai raporton “Gazeta Blic”.
I njëjti hodhi poshtë kategorikisht mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje por nuk pohoi as mohoi një bashkëpunim të mundshëm me partitë opozitare.
Në lidhje me qëndrimet e kryetarit të LDK-së ka folur për “Gazeta Blic”, ish-deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
Ai tha se Qeveria nga partitë opozitare nuk beson se do të jetë afatshkurtër por se do të ishte stabile dhe promovuese për vendin.
Dreshaj tha se ditëve në vijim do të kenë kontakte ndërpartike për harmonizim dhe dakordim.
“Qeveria nga partitë opozitare nuk besoj se do të jetë afatshkurtër, do të jetë stabile dhe promovuese për vendin. Pozicionimin e liderit të LDK-së mbrëmë e shoh në këtë prizëm: krijimin e strukturave të qëndrueshme vendore. Në ketë vazhdë ishin edhe prononcimet paraprake te liderëve te AAK dhe PDK.Pa dyshim qe në ditët në vijim do të kemi kontakte ndër partiake për harmonizim dhe dakordim.Në fund, PDK, LDK dhe AAK janë parti shtetformuese dhe të përgjegjshme për situatën ku ndodhet vendi. Ato janë mirë të informuara për hapat dhe përgjegjësitë që e presin vendin” tha Dreshaj.
Dreshaj tha se zgjedhjet prodhuan rezultate interesante dhe se tashmë do të ketë qëndrime nga më të ndryshmet.
Ai tha se ‘negociatat do të jenë të rënda’
“Këto zgjedhje kanë dhënë rezultate interesante, me shumë mundësi kombinimesh, si nga partia fituese ashtu edhe nga partitë opozitare. Tash do të kemi qëndrime nga më të ndryshmet. Torta është në tryezë dhe secili do të pretendojë pjesën më të mirë. Negociatat do të jenë të rënda.Deri më sot, parimet programore nuk janë respektuar në përpikëri. Besa-besë, as vijat e kuqe nuk janë respektuar.Vendi ka nevojë për institucione stabile, kredibile dhe të guximshme për të marrë vendime të rënda. Këtë e imponon situata aktuale gjeopolitike dhe lidershipi aktual botëror” tha Dreshaj.
Ish-deputeti i AAK-së tha për “Gazeta Blic” se opozita i ka 52 mandate dhe uron që të njëjtit të dakoordohen për formimin e Qeverisë së re.
“Opozita ka 52 vende në Kuvend dhe ka gjasat më të mëdha për të krijuar qeveri të aftë për të marrë vendime të guximshme. Partia në pushtet, që ka 48 vende në Kuvend, deri më sot nuk është dëshmuar për një gjë të tillë. Përkundrazi, çdo herë është tërhequr nga vendimet e saj pas presioneve, duke mos i sjellë vendit asnjë fitim, vetëm dëm.Unë uroj që opozita të dakordohet dhe të formojë qeverinë e re. Partitë që sot janë në opozitë janë dëshmuar se e kanë guximin të marrin vendime të guximshme për të mirën e vendit, edhe kur nuk janë populiste” deklaroi ai në një intervistë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/
Abdixhiku: LDK nuk bëhet pjesë e ndonjë qeverie afatshkurtër e të shkohet prapë në zgjedhje
Abdixhiku: VV-ja edhe mbretëri me na dhënë s’bëjmë koalicion me ta


