Lajme

Emocionohet miku i Thaçit: Pamja sot më mërziti, më ktheu në vitet e 90-ta

1 ditë më parë
nga:Mergim Rreci

Izmi Zeka, shoku i studimeve të ish-presidentit Hashim Thaçi, deklaroi se përjetoi një ndjenjë që vështirë e ka të gjejë fjalët për ta përshkruar, kur e ka parë Thaçin sot duke ecur shkallëve të QKUK-së, i shoqëruar nga shumë pjesëtarë të policisë.

“Besoj që jo veç për mua, por edhe për gjithë qytetarët e Kosovës ishte një rast jo i mirë së paku për ta parë Thaçin në këtë gjendje, me atë përcjellje aq të vrazhdë në bazë të asaj që dukej, dhe për çka, për ta vizituar babanë e sëmurë që e ka prej sa kohësh. Pra, ishte një ndjenjë që vështirë gjej fjalët për ta përshkruar”, deklaroi Zeka në emisionin Edicioni Special në Klan Kosova.

Tutje ai shtoi se Thaçi është njeri që ka një histori të veçante në jetët që i zhvillojmë edhe ne sot.

“Hashim Thaçi është njëri prej figurave ndoshta në njëmijëvjeçarin ekzistues të shqiptarëve që ia ka arritur që ta krijojë shtetin e Kosovës, dhe sot kur jemi krejt të lirë, për një vizitë që është krejt njerëzore, të vijë me gjithë atë arsenal njerëzish duke e përcjellë… dukej absurditet i llojit të vetë, e sidomos kur kemi të bëjmë me një personalitet i cili për mua i kalon kornizat e nivelit jo vetëm të Kosovës, por edhe të nivelit ballkanik”.

“Prandaj, ndjenjat ishin të përziera sepse me rikthehej edhe koha e studimeve, koha e punës, ambiciet e tij që ishin njerëzore në atë kohë në vitet e 90-ta për një Kosovë më ndryshe, për një Kosovë sikur vendet tjera të zhvilluara, për të arritur në studime e për t’u avancuar, etj. Hashim Thaçi edhe asokohe ishte me ambicie për të arritur sukses edhe në shkencë, por prioritet i prioriteteve ishte se si dhe në çfarë mënyre të çlirohej Kosova një ditë”,deklaroi Zeka, duke shtuar se edhe sot kur e ka parë “me lëvizjet e tij më dukej që ai më shumë mendon për Kosovën, për perspektivën e këtij vendi, sesa që mendon për veten”.