Lajme

Kusari për gjuhën e Sami Kurteshit: Vazhdimësi e politikave të VV-së që mediat t’i portretizojë si armiku i popullit!

03/13/2025 10:16
nga:Y I

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka eskaluar ditën e djeshme me sulmin ndaj mediave.

Kurteshi dje në Qendrën e Numërimit të votave i tensionuar iu është drejtuar gazetarëve ‘ mediat janë kriminale të vrasësve me pagesë’

“Media kriminale që e kanë vetëm një qëllim, ta qit Vetëvendosjen keq. Ju jeni media kriminale të vrasësve me pagesë” deklaroi Kurteshi raporton “Gazeta Blic”.

Në lidhje me deklaratën e Kurteshit ka folur për “Gazeta Blic”, juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari.

Kusari tha se gjuha e Sami Kurteshi reflekton mendësinë shtypëse të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo tha se ky subjekt politik përgjatë pesë viteve të kaluara ka keqpërdorur pushtetin për t’i luftuar gazetarët dhe mediat.

“Gjuha e Sami Kurteshit reflekton mendësinë shtypëse të Lëvizjes Vetëvendosje e cila përgjatë pesë viteve të kaluara ka keqpërdorë pushtetin e saj për t’i luftuar gazetarëve dhe mediat. Përdorimi i asaj gjuhë është bërë për të dehumanizuar gazetarët e Nacionales dhe është ftesë direkte për t’i sulmuar ata” deklaroi Kusari për “Gazeta Blic”.

Kusari tha se një qasje e tillë ‘është vazhdimësi e politikave të VV-së që mediat dhe gazetarët t’i portretizojë si armiku i popullit’.

Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje duhet të distancohet nga deklaratat e Kurteshit.

“Kjo qasje është vazhdimësi e politikave të VV-së që mediat dhe gazetarët t’i portretizojë si armiku i popullit me qëllim që publiku të mos iu besojë atyre. VV-ja duhet të distancohet nga Kurteshi dhe të marrë masa ndaj tij ndërsa policia duhet të ofrojë mbrojtje shtesë ndaj gazetarëve të kërcënuar” tha Kusari në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i ka dënuar fuqishëm fyerjet dhe kërcënimet e përsëritura të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi ndaj mediave.

“AGK-ja i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që urgjentisht të sigurojë që përfaqësuesi i saj në KQZ të mos pengojë punën e gazetarëve dhe të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave. Sulmet verbale ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë seriozisht lirinë e medias në Kosovë” thuhet në reagimin e tyre raporoton “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

“Jeni media kriminale të vrasësve me pagesë” – Çartet Sami Kurteshi i VV-së, eskalon me sulme ndaj gazetarëve

AGK-ja dënon gjuhën skandaloze, kërcënuese dhe nxitëse të anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi