Lajme

Gecaj: Deklarata e Mark Rutte për FSK-në është në përputhje me mandatin e NATO-s në Kosovë

03/11/2025 23:05
nga:Sh R

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës së tij sot në Kosovë, bëri të ditur se qasja e Aleancës Veri-Atlantike ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk ka ndryshuar. Ai tha se mandati është që të sigurohen që FSK-ja të jetë efektive në rolin e vet humanitar në Kosovë.

Lidhur me këtë deklaratë eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, në një pronocnim për GazetaBlic, thotë se është një deklaratë në përputhje me mandatin e NATO-s në Kosovë.

“Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është në përputhje me mandatin e NATO-s në Kosovë. Megjithatë, ky mandat nuk bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe, rrjedhimisht, as me mandatin kushtetues të FSK-së”, ka thënë ai.

Tutje, gecaj shton se FSK-ja ka të drejtën legjitime të zhvillohet dhe profesionalizohet në përputhje me mandatin e saj kushtetues.

Gecaj shton se të dyja palët, NATO dhe FSK vahzdojnë të përshtaten me situatat dhe rrethanat e reja gjeopolitike.

“FSK-ja ka të drejtën legjitime të zhvillohet dhe të profesionalizohet në përputhje me mandatin e saj kushtetues. Në këtë proces, ajo bashkëpunon me shtete partnere, anëtare të NATO-s, në bazë të marrëdhënieve bilaterale. Ky bashkëpunim nuk cenon as rolin e NATO-s në Kosovë dhe as angazhimin e FSK-së në mbështetjen e autoriteteve civile në raste emergjencash. Përkundrazi, të dyja palët – NATO dhe FSK – vazhdojnë të përshtaten me situatat dhe rrethanat e reja gjeopolitike”, u shpreh Gecaj.

Ndër të tjera, ai shton se mbështetja e Rutte për rolin humanitar të FSK-së nuk nënkupton kufizimin apo ndalimin e saj për të ndryshuar mandat.

Ai gjithashtu shton se as Rezulota 1244 nuk e ndaloi shpalljen e pavarsisë së Kosovës, dhe në të njëjtën logjikë nuk mund të pengojë zhvillimin e institucioneve të saj përfshirë edhe FSK-në.

“Mbështetja e shprehur nga z. Rutte për rolin humanitar të FSK-së nuk nënkupton kufizimin apo ndalimin e saj për të ndryshuar mandat, nëse një gjë e tillë është në përputhje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Kosovës. Për më tepër, Rezoluta 1244 nuk e ndaloi shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe, në të njëjtën logjikë, nuk mund të pengojë zhvillimin e institucioneve të saj, përfshirë edhe FSK-në”, përfundoi ai për GazetaBlic.

“FSK forcë humanitare”/ Njohësit e sigurisë ‘zbërthejnë’ deklaratën e Mark Rutte në Kosovë

 

Mesazhet e Sekretarit të NATO-s në Kosovë/ Ish diplomatët flasin për “kompromiset” që duhet të bëjnë Kosova e Serbia