Lajme

Haradinaj: Këto janë dy pikat kyçe nga konferenca e Sekretarit të NATO-s në Kosovë

03/11/2025 19:39
nga:G B

Ish ministrja e jashtme, Meliza Haradinaj, ka thënë se janë dy pika kyçe nga konferenca e Sekretarit të Përgjithshëm të NATOs Rutte me Presidenten e Kosovës Osmani, fleksibiliteti dhe kompromisi në dialog me Serbinë si rrugë për të çuar përpara Kosovën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se kjo qasje e dyanshme i ka dhënë në mënyrë efektive Serbisë një biletë njëdrejtimëshe si për BE ashtu edhe për Rusi, duke ruajtur statusin e saj prej agresori në Ballkanin.

Postimi i saj i plotë:

Dy pika kyçe nga konferenca e Sekretarit të Përgjithshëm të NATOs Rutte me Presidenten e Kosovës Osmani: fleksibiliteti dhe kompromisi në dialog me Serbinë si rrugë për të çuar përpara Kosovën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

Me gjithë respektin, kjo qasje “bothsideism” (e dyanshme) i ka dhënë në mënyrë efektive Serbisë një biletë njëdrejtimëshe si për BE ashtu edhe për Rusi, duke ruajtur statusin e saj prej agresori në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht ndaj Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës.

Siç kam thënë disa herë, çështja më e rëndësishme për Kosovën është përmbyllja e dialogut me Serbinë sa më parë të jetë e mundshme. E kompromiset eventuale në të ardhmen do t’i minimizojmë vetëm me front të unifikuar politik përballë Serbisë. Çdo veprim tjetër i partive politike shqiptare në këtë kohë të çuditshme është papërgjegjësi historike e kombëtare.