Lajme

Koreja e Veriut lëshon raketa balistike në përgjigje të stërvitjes ushtarake të SHBA-së dhe Jugut

03/10/2025 10:54
nga:Gazeta Blic

Koreja e Veriut ka lëshuar disa raketa balistike në det, disa orë pas nisjes së stërvitjes vjetore ushtarake të përbashkët të Koresë së Jugut dhe SHBA-së, të quajtur “Mburoja e Lirisë”.

Koreja e Veriut ka reaguar duke e quajtur këtë stërvitje një provokim të rrezikshëm.

Shefat e Shtabit të Koresë së Jugut kanë njoftuar se raketat u lëshuan nga provinca Hwanghae në Kore të Veriut, duke shënuar herën e pestë që Koreja e Veriut lëshon raketa këtë vit, shkruan Euronews.com, transmeton Klankosova.tv.

Stërvitja “Mburoja e Lirisë”, e cila ka filluar dhe do të zgjasë 11 ditë, përfshin trajnime të drejtpërdrejta, virtuale dhe në terren, sipas autoriteteve amerikane. Koreja e Veriut e ka cilësuar këtë stërvitje si “akt provokues që mund të rrisë rrezikun për një konflikt”.

Po ashtu, javën e kaluar, motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Yo Jong, paralajmëroi për reagime të mëtejshme pas ankorimit të një aeroplanmbajtëseje amerikane në Korenë e Jugut.

Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë stërvitjeve, kur dy aeroplanë luftarakë të Koresë së Jugut bombarduan gabimisht një zonë civile në Pocheon, pranë kufirit me Korenë e Veriut.

Si pasojë, 30 persona u plagosën, dhe forcat ajrore të Koresë së Jugut e kanë quajtur këtë një gabim njerëzor.