Arton Demhasaj, kandidat i AAK-së për deputet, humbëse të vetme të zgjedhjeve e sheh Lëvizjen Vetëvendosje.
Kështu ka deklaruar ai në një prononcim për dokumentarin Expose të Gazeta Blic.
“Së pari, procesi i zgjedhjeve dhe numërimit të votave lë për të dëshiruar, Kosova për herë të parë që prej zgjedhjeve të vitit 2000 nuk ka pasur zgjedhje më keq të organizuara e më keq të menaxhuara. Që një muaj ende s’kemi rezultat. Sa i përket se kush ka humbë e kush ka fituar, mendoj që humbësja më e madhe është Lëvizja Vetëvendosje, për shkak se i ka humb diku mbi 10 për qind që e ka pasur para katër vitesh, PDK ka një rritje, LDK një rritje por jo të kënaqshme, ndërsa AAK, ne së bashku me partnerët e koalicionit kemi humbur me votë pak numër në përqindje, por me numër të deputetëve është njësoj. Kështu që humbësja e vërtetë është VV sepse ka keqqeverisur katër vjet dhe rezultati është ky që është”, ka thënë ai.
Për Demhasajn, AAK nuk pati rezultat të kënaqshëm zgjedhor, për çka thotë se koalicioni nuk dha efektin e pritur
“Mendoj që AAK nuk ka pasur një rezultat të kënaqshëm, pritjet kanë qenë për një rezultat shumë më pozitiv, si duket edhe marrëveshjet apo koalicionet që janë arritur nuk e kanë pasur efektin që është pritur ta kenë dhe këto mund të jenë paradigmat e para që ne i kemi parë që kanë ndikuar por natyrisht që ne si AAK do ta bëjmë një analizë më të thellë rreth procesit zgjedhor, për t’i nxjerrë se ku janë defektet pse ka ardhur deri te ky rezultat dhe normal pastaj me i ndërmarr edhe veprimet për t’u rikthyer sërish në skenë ashtu siç e meriton me qenë AAK-ja”, u shpreh ai.
E, Demhasaj përmend afera korruptive e skandale të qeverisë, që bënë që Vetëvendosje të shënojë rënie.
Ai madje ka pasur pritshmëri për rezultat më të dobët të VV-së
“Normalisht që mosmbajtja e premtimeve që ka pasur prej zgjedhjeve të kaluara dhe ky ka qenë ndëshkim nga ana e qytetarëve, shtoja kësaj edhe keqqeverisjen, aferat korruptive në KEK, me rezervat shtetërore e të gjitha këto dhe natyrisht që kanë pasur ndikimin e vet në rezultatin që e kemi sot. Padyshim që duke i pasur parasysh të gjitha këto, natyrisht që rezultati është dashur të jetë shumë më i ulët por si duket ka shumë dyshime edhe në proces zgjedhor, që është përdorur “Treni bullgar” e të gjitha metodat tjera, ka shumë dyshime që ky rezultat është me disa manipulime që kanë mundur të ndodhin në votimet në konsullata”, ka vlerësuar Arton Demhasaj./Gazeta Blic/


