Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa që të anulojë rezultatet e votimit me postë dhe që të urdhërojë Komisionin Qendror Zgjedhore që të përsërisë votimin.
Në ankesën e dërguar në PZAP, Vetëvendosje po pretendon që në fletëvotimet e ardhura me postë ka pasë manipulime dhe se është cenuar e drejta e votës.
“Prandaj duke e dituar që në secilin fletëvotim të ardhur me postë ka pasur manipulime të tilla, është dëmtuar integriteti zgjedhor, është cenuar e drejta e votimit siç përcaktohet në Kushtetutë dhe Ligj, prandaj në bazë të nenit 120 të LZP-së, paragrafi 1 nënparagrafi 1.2, ndërlidhur me nenet 101 dhe 106 të LZP-së, kërkojmë nga PZAP që të ANULOJË rezultatet e votimit me postë dhe njëkohësisht ta URDHËROJË KQZ-në që të përsërisë votimin”, thuhet në ankesën e VV-së raporton “Gazeta Blic”.
Në lidhje me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për rivotim në diasporë, ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i zhvillimeve politike në vend, Avni Arifi.
Arifi tha se një veprim i tillë është ‘prolongim per me zgjat Qeverisjen në detyrë’
“Prolongim per me zgjat Qeverisjen në detyrë”
Ai tha se të njëjtit nuk kanë shumicën parlamentare, nuk kanë partner që të duan të qeverisin me t’a dhe përpiqen që të vonojnë krijimin e institucioneve.
“Nuk kanë shumicë parlamentare, nuk kanë partner që don të qeverisë me ta dhe përpiqen që të vonojnë krijimin e institucioneve” tha Arifi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.


