Lajme

Nuk arriti të bëhet deputet, reagon Hajdar Beqa: Mirënjohës për secilin prej jush që qëndruat krah meje

03/06/2025 22:05
nga:Genita C

Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës nuk ka arritur të siguroj edhe një mandat pas procesit zgjedhor që është mbajtur me 9 shkurt.

Beqa përmes një shkrimi në Facebook, është shprehur mirënjohës për ata që qëndruan krah tij gjatë gjithë fushatë zgjedhore, duke shtuar se ky është vetëm një kapitull dhe jo fundi i rrugës.

“Procesi zgjedhor i 9 shkurtit 2025 përfundoi. Edhe pse arrita të dyfishoj mbështetjen dhe të fitoj mbi 16 mijë vota, ato nuk ishin të mjaftueshme për të realizuar qëllimin tonë. Por, mbi të gjitha, ndihem jashtëzakonisht krenar dhe mirënjohës për gjithçka që arritëm së bashku”, ka shkruar Beqa.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë, mbështetës dhe anëtarë të PDK-së!

Procesi zgjedhor i 9 shkurtit 2025 përfundoi. Edhe pse arrita të dyfishoj mbështetjen dhe të fitoj mbi 16 mijë vota, ato nuk ishin të mjaftueshme për të realizuar qëllimin tonë. Por, mbi të gjitha, ndihem jashtëzakonisht krenar dhe mirënjohës për gjithçka që arritëm së bashku.

Krenar për fushatën e ndershme, përkushtimin dhe energjinë që kemi dhënë së bashku. Mirënjohës për secilin prej jush që qëndruat krah meje, që besuat dhe punuat pa u lodhur në këtë betejë politike. Nuk ishte një betejë e lehtë, por ishte një betejë e ndershme, e udhëhequr nga vlerat e PDK-së, nga dashuria për vendin dhe nga përkushtimi i secilit prej jush.

Në politikë, si në jetë, nuk janë vetëm fitoret ato që na përcaktojnë, por qëndrueshmëria, besimi dhe angazhimi i vazhdueshëm. Ne nuk e masim suksesin vetëm me numra, por me vlerat që mbrojmë dhe me forcën që tregojmë përballë sfidave.

Ky është vetëm një kapitull, jo fundi i rrugës sonë! Sepse PDK-ja nuk është thjesht një parti, është një familje, një kauzë dhe një ideal që na bashkon të gjithëve.

Unë do të jem gjithmonë këtu, krah për krah me ju, duke punuar për vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë më të zhvilluar më të fuqishme dhe më të mirë

Faleminderit nga zemra!