Më 5 mars të vitit 2014, Stadiumi Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë kishte marrë pamjen e një stadiumi evropian pasi që ishte arena e përballjes së parë historike ndërkombëtare.
Miqësorja mes Kombëtares së Kosovës dhe Haitit ishte luajtur para njëmbëdhjetë viteve, kjo ishte ndeshja e parë kontrolluese e cila ishte nën monitorimin e FIFA-s.
Kishte shumë emocione, gëzim dhe ndjesi të veçantë tek tifozët, të cilët e kishin pritur gjatë këtë vit, me shumë gjenerata të kaluara që madje kishin sakrifikuar edhe jetën e tyre për këtë gjë.
Kapiteni i Kombëtares së Kosovës atë ditë ishte Anel Rashkaj, i cili me shumë krenari e mbante shiritin mbi supet e tij dhe i dha motiv e frymëzim gjithë skuadrës.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ai tha se e kishe pritur gjatë një moment të tillë, kurse ishte një festë e madhe, si në kuptimin sportiv e ashtu edhe në atë historik.
“Pas një pritje të gjatë për të luajtur me fanellën e Kosovës nën patronatin e FIFA-s, ka ardhur ndeshja e 5 Marsit ndaj Haitit. Unë personalisht kam pritur 5 vite për të luajtur prej atij momenti që kam pranuar të luajë për Kosovën. Kur e kemi pranuar lajmin që kjo ndeshje do të luhet, ka qenë një ndjejnjë e paharrueshme. Gjithçka ka shkuar në nivelin më të mirë të mundshëm. Ka qenë një ditë feste, një ditë e madhe për futbollin dhe vendin tonë, e cila nuk harrohet kurrë. Vetëm ta shohësh gëzimin e njerëzve dhe fytyrat e tyre të lumtura, ishte emocion i veçantë. Ka qenë një nder i madh për mua të jem kapiten“, tha fillimisht ai.

Tutje, ai komentoi edhe faktin se pikërisht ajo ndeshja u zhvillua në një datë shumë emocionuese për popullin tonë, datën 5 Mars, në të cilën kishte rënë edhe komandanti legjendar Adem Jashari së bashku me familjen e tij.
“Organizimi i kësaj ndeshje në një datë të veçantë si kjo, ka pasur peshë të madhe edhe nga ana historike. Ka qenë një kombinim mes sportit dhe historisë, që ka sjellur një emocion dhe festë të madhe. Jam jashtëzakonisht i lumtur që isha pjesë e kësaj date, e kujtoj shumë shpesh”, përfundoi Rashkaj.

/GazetaBlic Sport/


