Drenica po kalon në një moment shumë të mirë në futbollin kosovar.
Skuadra nga Skenderaj është në rrugë të mirë drejt rikthimit në Superligë, por po shkëlqen me paraqitjet e saj edhe në Kupën e Kosovës.
Momentalisht, ‘Shqiponjat e Zeza’ kryesojnë Grupin A në Ligën e Parë me 35 pikë të arkëtuara, kurse kanë arritur edhe në gjysmëfinale të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në futbollin tonë.

Atmosfera është fantastike tek Drenica, kurse trajneri Arsim Thaqi, po punon fuqishëm për të arritur objektivat, i cili në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’ tha se qëllimi kryesor është inkuadrimi në Superligë, kurse një finale e mundshme e Kupës së Kosovës, do të ishte historike.
“Gara e Kupës na jep mundësinë të promovohemi si skuadër edhe në nivelin e Superligës, ku është edhe objektivi ynë kryesor. Natyrisht, kemi përballë një ekip që ka cilësi brenda vetes dhe është e qartë se nuk do të jetë e lehtë të përballemi me një skuadër si Llapi, që mendoj që është rastësisht në atë pozicion në tabelë, në bazë të nivelit të lojtarëve që ka. Për Drenicën sukses është rikthimi në Superligën e futbollit të Kosovës dhe nëse Drenica kalon në finale të kupës, kuptohet se do të ishte historike”, deklaroi Thaqi.

/GazetaBlic Sport/


