Inteligjenca artificiale (AI) vazhdon të depërtojë më thellë në sfera të ndryshme të jetës së njerëzve, përfshirë futbollin.
Portali i specializuar Transfermarkt ka kryer një studim të bazuar në parashikimet e inteligjencës artificiale për të identifikuar 20 fituesit e ardhshëm të çmimit individual më prestigjioz në futboll – “Topin e Artë”.
Ndër emrat që AI identifikon si fitues të ardhshëm të çmimit janë Kylian Mbappe, Erling Haaland, Vinicius Junior, Jude Bellingham dhe disa yje të tjerë të rinj të futbollit botëror.
Sipas inteligjencës artificiale, Topi i Artë do të fitohet nga Lamine Yamal më së shumti herë në 20 vitet e ardhshme.
Anësori i Barcelonës është vetëm 17-vjeç, por tashmë po shkëlqen me skuadrën katalanase, ndërsa me Spanjën doli edhe kampion i Evropës. Spanjolli pritet ta fitojë Topin e Artë 3 herë në 20 vitet e ardhshme – në 2029, 2035 dhe 2037.
Megjithatë, kjo nuk është gjëja më interesante, pasi inteligjenca artificiale pret që vetëm çmimi i parë të jetë me skuadrën e Barcelonës. Jo vetëm kaq, por sipas AI, Yamal do të fitojë dy “Topat e Artë” me fanellën e Real Madridit.
Një zhvillim i tillë i ngjarjeve duket absurd, pasi Lamine Yamal ka përsëritur vazhdimisht se dëshiron të kalojë të gjithë karrierën e tij në Barcelonë, me të cilën pritet të nënshkruajë kontratë deri në vitin 2030 në verë kur mbush 18 vjeç.
/GazetaBlic Sport/


