Lajme

Haradinaj: Koalicionet nuk jam krim, ndonëse përçarja mes partive është shumë e madhe

02/27/2025 22:13
nga:G B

Opinionistja Meliza Haradinaj ka thënë se partitë politike duhet të veprojnë konform sfidave gjeopolitike ku gjendet Kosova sot.

Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ajo tutje është shprehur se koalicionet nuk janë krim, dhe po kështu as bashkëqeverisja.

“Nuk shihet që ka vullnet as nga pakti opozitar që të ketë një bashkëpunim dhe të ketë një bashkërendim që të formohet një qeveri e opozitës me mandatar të dytë dhe nuk e shoh fare këtë në horizont. E pamë sot kryeministrin i cili në paraqitjen e parë të qeverisë pas zgjedhjeve, e kishte njëfarë konfidence, e mbante përgjegjësinë që ia ka dhënë popullin si partia që ka dalë e para në këto zgjedhje”, tha Haradinaj.

“Koalicionet nuk janë krim. Bashkëqeverisja nuk është krim në demokraci dhe unë nuk i kuptoj as partitë politike edhe këto opozitare. Kryeministri nuk është deklaruar pas fushatës zgjedhore, nuk e dimë a i mban vijat e kuqe që i kishte gjatë fushatës, ende duhet të presim derisa të certifikohen rezultatet.  Çfarëdo fuqie të ketë, ajo gjuhë që ka përdorur Kurti nuk pranohet. Koalicionet nuk janë krim, ndoshta bashkëqeverisja është shumë e vështirë ku përçarja është kaq e madhe. Duhet të jenë të përgjegjshme këto parti politike, duhet të veprojnë konform sfidave gjeopolitike ku gjendet Kosova sot. Kosova ende merret me përjashtime ndaj njëri-tjetrit për shumë pak vota. Prandaj, rezultati zgjedhor është ky, epilogu është që partia në pushtet e ka fituar shumicën, nuk e ka shumicën që të qeverisë vetëm dhe padyshim i duhet një partner koalicioni. Me komunitetet është obligim kushtetues të bëjë koalicion mirëpo kjo ndonëse do të mund t’ia siguronte një qeveri të re, s’mund të ia siguroi as qëndrueshmërinë strategjike në këto rrethana gjeopolitike, e as stabilitetin politik. Poashtu nuk ia siguron as një siguri numerike që ta mirëmbajë një qeveri me numra kaq të brishtë. Nuk e favorizoj një qeveri që varet nga 2-3 deputetë”, ka thënë me tej ajo.