Sporti

Hajvalia po bëhet me stadium pas 25 viteve, këto janë të rejat e fundit

02/25/2025 12:04
nga:Lorik J

Një lajm shumë pozitiv ka ardhur për komunitetin e sportit në Hajvali.

Klubet e Hajvalisë e vuajnë mungesën për një stadium futbolli që nga paslufta, por siç duket kjo brengë do të hiqet së shpejti, pasi ndërtimi i stadiumit ka filluar të marrë hapa konkret dhe zhvillim mjaft të mirë.

Sami Boroci, asambleisti i Komunës së Prishtinës ka konfirmuar për ‘GazetaBlic Sport’ se punimet po shkojnë mirë dhe tashmë gjërat po marrin formë.

Në këtë stadium që po ndërtohet, ditën e djeshme ka arritur edhe bari artificial, i cili do të shtrohet dhe do t’i mundësohet klubeve që së paku këtë sezon të stërvisin, pasi për t’u zhvilluar një ndeshje konkurruese ende duhet punuar.

“Bari ka ardhë dje, ka pak punë në infrastukturë dhe në zhveshtore, teksa në rrethoja e stadiumit duke u përfundu”, tha fillimisht Boroci.

Ai më pas njoftoi se në prill pritet që komuniteti i futbollit në Hajvali mund ta gëzojë këtë stadium, pasi parashihet që të stërvitet aty nga kjo datë.

“Na besojmë që në prill fillohet me stërvitje, sepse për lojë ende nuk e dimë, shkaku i ndërtimit të tribunave”, përfundoi Boroci.

Kujtojmë se ky lajm gëzon shumë Hajvalinë, pasi qe 25 vite nuk ka pasur stadium futbolli për klubet e këtij vendi.

/GazetaBlic Sport